Nga Maringlen ZHIVANI
Kapiteni shkodran Klejdi Dibra nuk do të jetë më pjesë e Besëlidhjes. Pas tre sezonesh të rikthimit të tij te skuadra lezhjane, mbrojtësi 33-vjeçar ka vendosur të mbyllë këtë kapitull. Më herët, Dibra ka qenë përplot 10-vite rresht pjesë e Besëlidhjes, duke u bërë një nga futbollistët më të rëndësishëm.
Largimi i tij shënon fundin e një epoke të tij me klubin lezhjan, me kapitenin që është dalluar për profesionalizmin, përkushtimin dhe rolin udhëheqës brenda dhe jashtë fushës. Vetë Dibra, në një komunikim me “Shkodra Sport”, konfirmoi gjithçka, teksa falënderoi presidentin, stafin teknik dhe tifozët e Besëlidhjes.
“Po, është e vërtetë që e kam mbyllur bashkëpunimin me Besëlidhjen. Gjej rastin të falënderoj presidentin Gjok Noka, stafin teknik dhe tifozërinë e mrekullueshme. Besëlidhja do të jetë gjithmonë në mendjen dhe zemrën time, pasi kam luajtur në Lezhë përplot 13-vite”,-tha ish-kapiteni i Besëlidhjes, Klejdi Dibra për “Shkodra Sport”.
Ende nuk dihet se cili do të jetë destinacioni i radhës për qendërmbrojtësin shkodran, ndërsa pritet që ai të jetë sërish në qendër të merkatos në ditët në vijim.(www.shkodrasport.com)