Klubi i Vorës ka bërë një tjetër lëvizje të rëndësishme në merkato, teksa ka afruar një lojtar me shumë potencial për repartin e avancuar. Dario Daka, aktualisht pjesë e Kombëtares U21 të Shqipërisë, është transferuar në radhët e skuadrës që do të jetë pjesë e Superiores për herë të parë në këtë edicion.

Daka është nën kontratë me klubin e Leçes në Serinë A, me të cilin ka luajtur në radhët e skuadrave të të rinjve, ndërsa ka qenë disa herë në pankinë në ndeshjet në elitë. AI u huazua për disa muaj te klubi i Trapanit në edicionin e kaluar e këtë radhë, është transferuar në radhët e Vorës.

NJOFTIMI I VORËS

MIRË SE VJEN DARIO DAKA!

Klubi ynë ka kënaqësinë të prezantojë përforcimin më të ri në skuadër, Dario Daka, një lojtar premtues me perspektivë të madhe për të ardhmen!

Dario është produkt i akademisë së njohur italiane Leçe, ku ka marrë formimin e parë si futbollist, duke u rritur mes disiplinës, teknikës dhe garës në nivelet më të larta të moshave. Sezonin e fundit ai ishte pjesë e ekipit Fc Trapani, ku ka fituar më shumë përvojë në futbollin e të rriturve dhe ka vazhduar rritjen e tij si lojtar.

Aktualisht, Dario është pjesë e Kombëtares U-21 të Shqipërisë, ku ka arritur të gjejë rrjetën një herë, ndërsa më parë ka qenë pjesë e Shqipërisë U-19, ku ka realizuar 2 gola, duke treguar vazhdimisht potencial dhe vendosmëri.

Me profilin e tij si lojtar që kombinon qetësinë me vizionin Daka do të jetë një element i rëndësishëm në ndërtimin e një skuadre konkurruese dhe ambicioze për sezonin që vjen.

Klubi i Vorës i uron mirëseardhjen Darios dhe shumë sukses me fanellën e skuadrës sonë.