Florian Virtz largohet nga Bundesliga si Futbollisti i Vitit 2025. Ish-lojtari i Leverkusenit fitoi qartë në votimin e organizuar nga kicker. Si Trajner i Vitit u shpall Julian Shuster.

Një vit më parë Florian Virtz u desh të dorëzohej ndaj Toni Kros, por tani ai është vetë në majë: Mesfushori i kombëtares gjermane u shpall me diferencë të madhe fitues në zgjedhjet për Futbollistin e Vitit 2025.

Në votim morën pjesë 633 anëtarë të Shoqatës Gjermane të Gazetarëve Sportivë (VDS). Afati i fundit ishte 28 korriku. Virtz grumbulloi 191 vota, 110 më shumë se vendi i dytë, Majkëll Olise (81 vota). I treti u rendit Nik Voltemejd (71), i cili fitoi Kupën e Gjermanisë me Shtutgart, ndërsa shumë afër tij ishte Tomas Myler (70), që u largua nga Bundesliga dhe Bajern drejt Vankuver-it.

“Duhet të them se nuk mund të imagjinoja një pasardhës më të mirë se ti! Ti je një lojtar i veçantë, në shumë aspekte,” e vlerësoi Kros pasuesin e tij Virtz. “Me transferimin tënd te Liverpul ke bërë gjithçka siç duhet dhe e ke theksuar mentalitetin dhe bindjen tënde.”

Ndërkohë, Virtz theksoi se të ndjekësh “një personalitet të tillë lojtari” si Kros e bën atë “veçanërisht krenar”. Ai falenderoi jo vetëm gazetarët sportivë për votimin si Futbollisti i Vitit – “një çmim i kolektivit” – por edhe “të gjithë shokët e skuadrës, trajnerët dhe stafin te Leverkusen dhe Kombëtarja”.

Ky titull është një nder i veçantë personal – dhe njëkohësisht një “motivim i madh për të ardhmen”. Virtz shtoi: “E di që me 22 vjeç më pret ende shumë punë për të përmbushur të gjitha pritshmëritë që lidhen edhe me një çmim si ky i Futbollistit të Vitit. Dhe të cilat, pavarësisht kësaj, ia vendos edhe vetes.”

Si Trajner i Vitit u shpall një emër i ri: Julian Shuster e çoi Freiburg, menjëherë në sezonin e tij të parë si trajner kryesor, në vendin e pestë dhe kështu në Europa Ligë. 40-vjeçari mori 97 vota dhe pason Xabi Alonso-n (atëherë te Leverkusen).

Çmimi për Futbollistin e Vitit jepet që nga viti 1960, ndërsa ai për Trajnerin e Vitit që nga 2002. Tek lojtarët, Franc Bekenbauer është rekorder me katër tituj, ndërsa te trajnerët, Jurgen Klop dhe Feliks Magath kanë nga tre fitore secili.