Nga Gjergj KOLA
Tjetër gol dhe tjetër paraqitje e mirë e sulmuesit shkodran në kampionatin rus të kategorisë së dytë me ekipin e tij Fakel. Mbrëmjen e djeshme, 27 vjeçari ka qenë protagonist në fitoren 2-1 të këtij ekipi në transfertë ndaj ekipit Kamaz.
Ka qenë minuta e 63-të e ndeshjes, kur ai ka marrë një top nga mesfusha dhe mbi vijën e hyrjes të zonës së rreptësisë ka gjuajtur fort tokazi duke e bërë të pavlefshme edhe hedhjen e portierit kundërshtar sepse topi ka përfunduar në rrjetë.
Ky ka qenë goli i dytë për Fakel i cili e ka administruar si duhet avantazhin e dy golave dhe ndonëse në vijim ka pësuar një, sërish ka dalë triumfues nga kjo fushë duke marrë një trepikësh me shumë vlerë. Si rrjedhojë, pas 4 javësh kampionat, ai kryeson renditjen e ligës së dytë ruse me pikë të plota, 12 dhe ka hedhur që tani kandidaturën për ngjitjen në Superligë në fund të sezonit.
Ndërkohë dhe për Pusin duket një start i shkëlqyer ndonëse është sezoni i tij i parë në futbollin e këtij vendi. Në 4 ndeshjet e deritanishme, ai ka shënuar dy gola dhe ka dhënë dy asiste duke treguar edhe njëherë tjetër se mbetet një pikë e fortë për ekipin e Fakel.(www.shkodrasport.com)