Qyteti i Udines do të jetë praktikisht i izoluar këtë të mërkurë, për shkak të ndeshjes së Superkupës së Europës mes Paris Saint-Germain dhe Tottenham Hotspur, e cila do të luhet në orën 21:00 në “Stadio Friuli”.
Autoritetet italiane dhe ndërkombëtare e kanë klasifikuar këtë sfidë si një ngjarje me rrezik jashtëzakonisht të lartë për rendin publik. Si pasojë, shefi i policisë, Pasquale Antonio De Lorenzo, ka vendosur në dispozicion një forcë të madhe sigurie, me mbi 1.000 oficerë, nga të cilët 600 janë sjellë posaçërisht nga jashtë rajonit.
Për garantimin e sigurisë maksimale, do të angazhohen njësitë speciale për çmontimin e bombave, personel për kontrollin e trazirave si dhe helikopterë të pajisur me kamera termike dhe pajisje për shikim natën.
Sipas UEFA-s, janë shitur 6.600 bileta për tifozët e PSG-së dhe 4.700 për ata të Tottenhamit. Pjesa tjetër e stadiumit, me një kapacitet prej rreth 23.000 vendesh, do të mbushet me tifozë neutralë apo të ftuar.
Masa të posaçme sigurie janë planifikuar për “Marshimin e Tifozëve”, një organizim i afro 900 ultrasve parizienë që do të mbërrijnë në Udine në mëngjesin e datës 13 gusht. Ata do të nisen drejt stadiumit nga zona e dedikuar për tifozët në orën 18:30, të shoqëruar nga një kontingjent i gjerë forcash policore, përfshirë karabinierë dhe njësi të policisë financiare.
Autoritetet janë të vendosura që gjithçka të zhvillohet në kushte sigurie të lartë, duke synuar shmangien e çdo incidenti gjatë këtij eventi madhor futbollistik.