Dimë që legjenda e futbollit shqiptar, Loro Boriçi kishte arritur të luante në Itali me ekipin e Lacios. Dimë që më pas ai u kthye në atdhe, ku luajti me “Vllazninë” e Shkodrës dhe kombëtaren shqiptare. Por Sotir Seferaj, një nga ish-miqtë e ngushtë të Loro Borriçit, zbulon arsyet se pse Loro, braktisi ekipin e madh të Lacios. Sipas Seferajt, ishte kërkesa e të ëmës së Loros, Marijes, që, pas kapitullimit të Musolinit dhe fashizmit në Itali, i biri të kthehej në vendlindje, për të vazhduar jetën në Shqipëri.

Por në intervistën e tij, Sotir Seferaj, miku i ngushtë i ish-legjendës së futbollit shqiptar, rrëfen edhe një sekret tjetër. Sipas tij, Loro kishte shkuar në Itali jo për të luajtur futboll, por për të ndjekur studimet e larta në degën e Juridikut në Universitetin e Romës.


Kush ishte Loro Boriçi?

Loro Boriçi u lind më 22 gusht 1922, në qytetin e Shkodrës. Ai rridhte nga një familje e vjetër shkodrane dhe shumë e njohur në qytetin e Shkodrës. Familja përbëhej nga gjashtë fëmijë, tre djem, Marku, Loro e Pjerini, si dhe nga tri vajza, Angjelina Margarita dhe Klarinda.


Si u zbulua Loro si talent?

Loro, që në moshë të vogël, do të luante futboll së bashku me vëllain e tij, Markun, që ishte tre vjet më i madh se ai. Zakonisht ata luanin nëpër lagjet e tyre, ku vëllai i tij, Marku ishte portier dhe Loro sulmues.

Por Loro spikati më tepër si talent, kur luante në Rrethin “Don Bosko” të Kolegjit Saverian. Por spikatjen e tij, Loro e pati në moshën 15 vjeçare, më 6 qershor 1937.

Në fushën e vjetër të Shkodrës, do të zhvillohej ndeshja e ditës së 7-të të Kampionatit të VII-të Kombëtar, midis “Vllaznisë” dhe ekipit “Dragoj” të Pogradecit. Ndeshja filloi në orën 16.00 dhe ekipi shkodran, kishte në përbërje të saj lojtarë të mëdhenj të asaj periudhe, si; Osmani, Shala, Gjeloshi, Fakja, Dizdari, Koliqi, Halepiani, Dervishi, Hoxha, etj.

Por në morinë e tërë këtyre lojtarëve të mëdhenj të asaj kohe, trajneri shkodran, nuk kishte lënë jashtë as dy vëllezërit Boriçi, që luanin njëri si portier e, tjetri si sulmues. Marku ishte 18 vjeç, kurse Loro donte edhe 68 ditë, të mbushte 15 vjeç.

Në pjesën e parë, shkodranët patën vështirësi me mbrojtjen e skuadrës së Pogradecit, megjithëse ata do shënonin në minutën e 21, me anë të Koliqit. Por në pjesën e dytë, çdo gjë ndryshoi. Kjo për shkak të lojës së debutuesit Loro Boriçi. 15-vjeçari arriti të shënojë në atë takim katër gola, njërin më të bukur se tjetrin, madje dy golat e fundit, ai i shënoi nga një distancë prej 30-35 metra nga porta.

Të gjithë në atë stadium u mahnitën nga loja e djalit të vogël dhe e duartrokitën gjatë gjithë ndeshjes. Por ajo ndeshje në fakt do të ishte edhe e fundit për Loron me ekipin e “Vllaznisë” në atë periudhe. Kjo, për shkak se ai nuk u lejua të luante më nëpër fushat e vendit, nga e ëma e tij, Marija, e cila kërkonte që ai të studionte dhe të mbaronte shkollën me rezultate të larta.


Kur filloi Loro të luante përsëri futboll?

Pavarësisht se e ëma e tij, Marija nuk donte që Loroja të bëhej futbollist, ai e gjente përsëri kohën të luante fshehurazi futboll, me shokët e tij. Por ai karrierën si futbollist, do ta niste pas pesë vitesh nga debutimi i tij i parë. Por kësaj here jo në Shqipëri, por në Itali.


Si u aktivizua Loro Boriçi, me ekipin italian të Lacios?

Në vitin 1941, Loro Boriçi kishte shkuar për të studiuar në Fakultetin e Drejtësisë në Romë. Por gjatë kohës së qëndrimit të tij në Itali, ai nuk mund të qëndronte pa luajtur dot futboll, pasi ai ishte shumë i pasionuar, pas këtij sporti.

Prandaj duke mos patur më edhe pengesën e së ëmës së tij, ai iu drejtohet zyrave të Klubit Sportiv të Lacios. Pas një takimi të shkurtër, drejtuesit e klubit italian, vendosën që ta provojnë djaloshin shqiptar, dhe fillimisht e aktivizojnë me ekipin B, të Lacios.

Gjatë ndeshjeve të kontrollit, Loro zhvilloi lojë të bukur gjë që bëri që ai t’u binte në sy, specialistëve të Lacios. Ai spikati për manovrimet që ai bënte me topin, hapin galopant si edhe gjuajtjet, që ai mund të kryente me të dyja këmbët, në distanca të ndryshme.

Nuk u deshën shumë prova për të bindur teknikët e Lacios për ta grumbulluar Loron me ekipin e parë. Ai zhvilloi me Lacion në vitet 1941-1942, 18 ndeshje. Loroja luajti përkrah futbollistit më të mirë të asaj kohe, Silvio Piola. Ajo që mbetet kujtimi më i bukur i Loros me Lacion, është ndeshja për Kupën e Italisë, midis Juventusit dhe Lacios në vitin 1942.

Ndeshja pritej me shumë interes edhe për faktin se dy futbollistë shqiptarë dhe të dy luanin në rolin e kundër-sulmuesit. Riza Lushta me Juven, dhe Loro Boriçi me Lacion. Para se të zhvillohej takimi, futbollisti Lushta kishte zbritur më parë në fushë dhe priste që të zbriste edhe Loroja. Menjëherë sa e pa këtë të fundit, Lushta shkoi me vrap dhe e përqafoi me mall dhe e uroi që të kishte sukses.

Loja u zhvillua shumë interesante, në fillim skuadra e “Juventusit” kaloi në avantazh me anë të dy golave por më pas skuadra e Lacios arriti ta barazojë dhe kulmi arriti kur Loro Boriçi, arrin të shënojë edhe golin e tretë duke bërë të mundur mundjen e Juventusit, si dhe eliminimin e këtij të fundit, nga kupa e Italisë.


Akoma edhe sot nuk dihen mirë arsyet se pse u kthye Loro Boriçi në Shqipëri, në një kohë kur luante për një ekip të madh si Lacio?

Me sa di unë, Loro u kthye në atdhe në vitin 1943, kjo u bë vetëm për arsye familjare. Duke qenë se vendi në atë kohë ishte i përfshirë nga lufta, Loroja së bashku me vëllain e tij, Markun e panë të arsyeshme, të ktheheshin pranë familjes dhe t’i gjendeshin pranë, në ato momente të vështira.

Kjo ishte arsyeja se pse Loro u kthye në Shqipëri. Loro ishte shumë i lidhur me familjen e tij dhe nuk mund të qëndronte kurrsesi jashtë vendit, ndërkohë që jeta e tyre ishin në rrezik. Ndërkohë që edhe e ëma e tij Marija, dëshironte që në atë periudhë të vështirë, t’i kishte dy djemtë pranë.


Si vazhdoi më pas karriera e Loros si futbollist?

Loro u shfaq përsëri në futbollin shqiptar, pas 9 vitesh. Ai u kthye përsëri të luajë, për skuadrën e tij “Vllazninë”, në vitin 1945, pas çlirimit të vendit. Në vitin 1945, ai u thirr për herë të parë si përforcues nga skuadra e “Tiranës”, në një turne që u zhvillua në Beograd, të Jugosllavisë. Në të merrnin pjesë ekipi “Ylli i Kuq” i Beogradit, ekipi i “Tiranës”, si dhe ekipi i “Sofjes”.

Ky do ishte një turne triumfal për Loron, jo vetëm që ai do shënonte në të dy ndeshjet, por ai do shpallej edhe futbollisti më i mirë i turneut. Në 2 shtator 1945, në vend filloi edhe Kampionati i 8-të Kombëtar i Futbollit.

Ai ishte i ndarë në dy grupe A dhe B, me nga 6 skuadra. Në grupin e “Vllaznisë”, bënin pjesë skuadrat e “Teutës” së Durrësit, “Besa” e Kavajës, “Tomorri” i Beratit, “Ismail Qemali” i Vlorës dhe skuadra ushtarake “Liria”, me qendër në Korçë.

Ekipi i Shkodrës, arrin t’i fitojë të gjitha ndeshjet në grupin e saj dhe më pas ndeshet me fituesen e grupit tjetër, që ishte ekipi i “Tiranës”. “Vllaznia” arrin t’i fitojë të dyja takimet me skuadrën e Tiranës, duke bërë që të shpallet kampione kombëtare.

Ky ishte edhe titulli i parë kampion për Loron. Në kampionatin e 9, Loro luan vetëm një ndeshje, në të cilën ai do dëmtohet rëndë në gju, dhe për këtë arsye, ai dërgohet për kurim në Jugosllavi, ku qëndron për gati 6 muaj.

Ai do kthehej në atdhe, për të luajtur përsëri në shtator të vitit 1946, vetëm një muaj para fillimit të Kampionatit Ballkanik të vitit 1946, i cili u zhvillua në atë kohë në Tiranë. Ky kampionat do ishte edhe shkëlqimi i Loros.


Goli i “çuditshëm” i Loro Boriçit

Në derbin “Dinamo” – “Partizani” në vitin 1954, kur takimi po mbaronte në barazim 0-0, ndodhi një episod që nuk kishte ndodhur ndonjëherë. Një nga futbollistët e “Partizanit” kroson topin në zonën e portës së “Dinamos”, që mbrohej na mjeshtri Qemal Vogli, i cili kërcen në lartësi dhe e zotëron atë. Por ndaj tij pati një ndërhyrje trupore nga futbollisti Merja. Qemali hodhi vështrimin nga arbitri, që nuk dha ndonjë sinjal për faull.

I nervozuar, ai lëshon topin përtokë dhe shkon drejt arbitrit për të protestuar. Këtë veprim e pa Loro, që ishte 6 – 7 hapa larg topit, ai vrapon dhe e çon topin në rrjetë. Gjyqtari këtë veprim e quan të rregullt dhe kërkon që topi të vendoset në qendër të fushës, duke e quajtur gol të rregullt. Ky gol u quajt goli i zgjuarsisë, i njohjes perfekte të rregullores së futbollit nga Boriçi. Ai gol e shpalli “Partizanin” kampion të Shqipërisë.


P a s a p o r t a

Emri: Loro

Mbiemri: Boriçi

Datëlindja 22 gusht 1922

Vendlindja: Shkodër

Tituj sportiv: “Mjeshtër i Merituar”, “Trajner Kombëtar”, “Nderi i Sportit Shqiptar”

Ekipet ku ka luajtur: ekipi Lacio, Romë Itali (1941-1942).i “Vllaznisë” (1937-1945, ’46, ’47, ’48), “Partizani” (1949 – 1956), “Spartaku” i Tiranës (1956).

Klubet që ka drejtuar: “Partizani”, “Spartaku” i Tiranës, “Flamurtari”, “Lokomotiva”, “Kombëtarja e të Rinjve”, ekipi “Shpresa”, ekipi i Kombëtares së Shqipërisë, Kombëtaren e Kinës.


Ndeshje ndërkombëtare të luajtura:

Ka luajtur 80 ndeshje, nga të cilat 20, i ka luajtur me ekipin e kombëtares. Ka shënuar 38 gola.

Trofe të fituara:

Kampion Kombëtar si futbollist: “Vlaznia” (1945), “Partizani” (1949, 1954). Kupa Republike: “Partizani” 1949, Kampion Ballkani si futbollist (1946), 6 herë golashënuesi më i mirë i vendit. Si trajner: Kampion Kombëtar me “Partizanin” (1962-‘63, 1963-‘64, 1970/71.

Kupa Republike: “Partizani”, 1964, ‘66, ‘68, ’70-të. Kampion Ballkani midis klubeve, “Partizani” 1970, kampion Ballkani me Shpresat. Medalje e argjendtë në Lojërat e Ushtrive të Lindjes Komuniste (Hanoi) 1963. Fitues i anketës “Sporti Popullor”
ekoruar: Urdhri “Naim Frashëri” Klasi i Parë, Urdhri i Artë “Naim Frashëri”, Medalje pune: “Mjeshtri i Madh i Punës”