Gazetari hulumtues dhe studiues i arkivave, Armand Plaka, ka befasuar me zbulimin e tij të fundit, teksa i është referuar një gazete të vjetër austriake, FuBball-Sonntag. Në të tregohet si dështoi ndeshja e parë e kombëtares shqiptare në futboll, para nisjes së Luftës së Dytë Botërore.

Thuajse një muaj para se Shqipëria të pushtohej nga Italia, Federata Suedeze e Futbollit kishte vendosur të luante një ndeshje me kombëtaren tonë, me shumë gjasa si miqësore mes dy përfaqësueseve. Shkrimi lë të kuptohet se ndeshja do të zhvillohej në Suedi.

Sidoqoftë, përpos dëshirës së federatës suedeze, duket se media vendase e kohës e kishte kritikuar këtë vendim, duke arsyetuar se publikut suedez nuk mund t’i vihej përballë një ekip që deri në atë kohë nuk kishte zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare ndërkombëtare. Lajmin e bënte të ditur edhe shtypi sportiv vjenez, më 12 mars 1939.

Edhe pse Federata Suedeze e Futbollit kishte dhënë miratimin paraprak për zhvillimin e ndeshjes, ajo nuk u zhvillua dhe bërthama e kombëtares shqiptare u shkri, për t’u rithemeluar pas përfundimit të Luftës. Më poshtë, gjeni faksimilen e gazetës, ku është botuar lajmi në fjalë.

Kujtojmë se kombëtarja shqiptare e futbollit e ka përfaqësuar vendin tonë në garat ndërkombëtare që nga viti 1946. Ndonëse nuk luajti asnjë ndeshje, ekipi kombëtar shqiptar i futbollit ekzistonte përpara se të krijohej Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), më 6 qershor 1930. Shqipëria e luajti ndeshjen e parë ndërkombëtare kundër Jugosllavisë në vitin 1946, e cila përfundoi me humbjen 3-2 në shtëpi, në stadiumin “Qemal Stafa”./telesport/