Shkruar nga Namik Mehmeti
Ekipi i Vibonese, ku luan mbrojtësi shtatlartë Gerard Mirashi, arriti të marrë një pikë të vlefshme ndaj kryesueses Reggina, në ndeshjen e vlefshme për grupin I të Serisë D. Takimi u zhvillua në stadiumin “Granillo”, në prani të rreth 7 mijë spektatorëve.
Edhe pse vendasit kaluan në avantazh me Toscani-n në minutën e 29-të, aktivizimi i Mirashit në fillim të pjesës së dytë i dha më shumë stabilitet repartit mbrojtës të Vibonese-s. Mbrojtësi shqiptar tentoi edhe të gjente rrugën e rrjetës me një goditje të fuqishme, por topi u devijua nga një mbrojtës i Reggina-s.
Mirashi dha gjithashtu një asist për Casendey-n, i cili kishte shënuar më parë golin e barazimit, por pasimi i tij u ndal nga mbrojtja vendase.
Vibonese vijoi të ushtronte presion në kërkim të golit të fitores, edhe pse pas minutës së 70-të u detyrua të luante me dhjetë futbollistë, pasi sulmuesi kryesor argjentinas, Castro, u ndëshkua me karton të kuq.
Edhe Mirashi nuk i shpëtoi ndëshkimit me karton të verdhë, pas një ndërhyrjeje të nxituar në mesin e fushës ndaj një sulmuesi vendas. Ky ndëshkim ndikoi në vlerësimin e tij, i cili u notua me 6.
Me këtë barazim 1-1, Vibonese, skuadra e drejtuar nga trajneri Murra, mbetet në vendin e dytë, dy pikë larg Reggina-s kryesuese.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


