Prej disa kohësh ka qenë në dilemë për të ardhmen dhe opsionet në fakt kanë qenë disa. Në fund duket se ka vendosur t’i bashkohet skuadrës së njohur kosovare, Prishtina. E kemi fjalën për mbrojtësin e talentuar shkodran Flori Spahija.
22 vjeçari u largua nga Vllaznia pas përfundimit të sezonit të kaluar, me idenë e qartë për të gjetur një skuadër ku do t’i besonin më shumë dhe në fakt kontaktet i ka patur të shumta, si brenda kampionatit shqiptar ashtu edhe jashtë.
Por mbrojtësi i qendrës që luan mjaft mirë edhe në krahun e majtë të prapavijës, nuk është nxituar duke pritur një ofertë më serioze dhe ajo duket se i ka ardhur ditët e fundit nga skuadra e njohur kosovare. Kjo e fundit e nisi kampionatin me fitore, duke mundur Dukagjinin në ndeshjen e parë me shifrat 3-2, por të gjithë e kanë parë që mbrojtja e saj ishte në një gjendje alarmante.
Kjo gjë ka bërë që drejtuesit të insistojnë për të marrë mbrojtës të tjerë dhe si rrjedhojë i kanë besuar edhe ish- futbollistit të Vllaznisë, nisur nga mosha e tij, por edhe cilësitë fizike dhe individuale. Si rrjedhojë akordi duket shumë pranë dhe ditën e nesërme me shumë mundësi do të vijë edhe firma në kontratë.
Nga sa mësohet, në fakt kohët e fundit ai ka qenë sërish në fokusin e drejtuesve të Vllaznisë të cilët kanë dashur ta rikthejnë në skuadër, por Spahija ka preferuar të provojë një eksperiencë të re, ku do të mundë të shprehë më së miri aftësitë e tij. Dhe si rrjedhojë shpreson shumë që tek Prishtina të treegojë vlerat më të mira.(www.shkodrasport.com)