Ish-administratori i Vllaznisë dhe ish-futbollisti i kuqebluve në vitet ‘80, Kujtim Shaba ka folur së fundmi për “Panorama Sport”. Ish-mbrojtësi ka analizuar kuqeblutë në prag të sezonit të ri, ku pret shumë nga skuadra.
Po ashtu shkodrani analizon edhe lëvizjet e fundit në hyrje dhe dalje te skuadra, duke theksuar se pret diferencën nga të ardhurit së fundmi. Teksa po ashtu komenton edhe takimin e parë të kampionatit kundër Egnatias, ku si do të shkojë rezultati nuk mund të ketë një verdikt përfundimtar për ekipin e Vllaznisë. Performanca e ekipit, sipas Shabës do të vlerësohet pas 4-5 javësh nga nisja e kampionatit.
Shaba, si e shikoni Vllazninë në prag të kampionatit?
Ekipi vjen nga një periudhë e ngjeshur verore, me përgatitjet për sezonin e ri, por edhe pjesëmarrjen në kompeticionet europiane. Besoj se deri diku skuadra është e plotësuar dhe në syrin nga jashtë shihet një formacion i fortë dhe që mund të pretendojë shumë gjatë këtij edicioni. Por sërish duhet kapur forma maksimale që mendoj se disa futbollistë ende nuk e kanë dhe pastaj gjithçka do shihet në fushën e lojës, pasi në letër siç e theksova, skuadra duket goxha e kompletuar. Të paktën sa i përket 11-shes titullare që pretendohet të jetë.
Sa shpresë të jep kjo skuadër në pamje të parë?
Po, si çdo shkodran edhe unë kam gjithmonë atë emocionin se Vllaznia do jetë gjithmonë atje sipër në renditje. Patjetër që jam optimist dhe këtë nuk e them pa baza, pasi në skuadër ka lojtarë plot eksperiencë dhe që e njohin mirë kampionatin shqiptar. Po ashtu të ardhurit besoj se e kanë shtuar cilësinë dhe konkurrencën në skuadër, duke mos harruar edhe të rinjtë. Për të cilët unë këmbëngul gjithmonë që të kenë hapësirat e tyre. Pasi me pak shpenzime nga ata mund të fitosh shumë si sportivisht apo ekonomikisht. Ku rasti i fundit ishte Dodaj dhe ky duhet të shërbejë si një shembull shumë pozitiv.
Do të përmirësoje diçka sipas opinionit tënd?
Atë se çfarë duhet të përmirësohet më mirë e dinë ata që janë aty çdo ditë. Por, unë them se diçka duhet shikuar në prapavijë, skuadra pëson lehtë dhe kjo nuk duhet të ndodhë për një ekip pretendent. Diçka duhet rregulluar aty, sepse u pa edhe në ndeshjet europiane që skuadra vuajti shumë në këtë aspekt. Asnjë ekip nuk është perfekt dhe gjithmonë ka vend për përmirësime.
Ku duhet të ndërhyjë skuadra në merkato?
Them se formacioni është thuajse totalisht i kompletuar, duke pretenduar edhe rritjen e formës fizike nga Kallaku dhe Kastrati. Por, besoj se ende duhet shikuar për ndonjë mbrojtës cilësor, ndoshta edhe si alternativë. Gjithashtu edhe në sulm duhet të ketë alternativa të tjera sepse momentalisht janë Balaj dhe Kastrati, pasi Mensah nuk ka dhënë nivelin e duhur dhe ka zhgënjyer. Teksa them se në mesfushë ka “bollëk” dhe duhet shikuar se si mund të vendoset skuadra gjatë edicionit.
Ishte një lëvizje “bllof” e klubit largim i Krujës në këto momente?
Realisht u surprizova, sepse Kruja ka qenë një ndër më të mirët e kampionatit në 2-3 sezonet e fundit. Minutat e munguara për të duket se kanë shtyrë në këtë vendim dy palët, por e them me siguri që Kruja do ishte shumë i vlefshëm për Vllazninë në këtë edicion. Pasi është një futbollist që luan në disa pozicione dhe që mund të japë shumë nga cilësitë e tij. Megjithatë këto janë vendime që janë marrë në bashkëpunim klub-lojtar.
Mendon se Kallaku dhe Kastrati do jenë të aftë të bëjnë diferencën që në start?
Nga emri dhe CV që kanë patjetër nga ata pritet diferenca. Po ashtu edhe nga investimi që është bërë karshi tyre dhe të gjithë presin shumë nga kjo dyshe. Normalisht presioni do ekzistojë mbi ta si “yjet” e ekipit dhe personalisht pres nga të dy. Siç e thashë duhet pritur arritja e formës maksimale fizike nga ana e të dy futbollistëve sepse siç e kemi parë në këto miqësore ende nuk janë aty ku duhet. Në momentin që do jenë “on top” të formës fizike, mund të kemi edhe një analizë dhe gjykim më të drejtë për performancën e të dy futbollistëve.
Kampionati hapet me Egnatian në Shkodër, si e analizon dhe parashikon?
Një ndeshje shumë interesante për të hapur kampionatin, ekipi kampion dhe nën kampion i sezonit të shkuar. Egnatia sërish është në opinionin tim skuadra që duhet mposhtur këtë sezon dhe do jenë sërish pretendentë. Vllaznia patjetër që kërkon ta nisë pozitivisht dhe para tifozërisë së saj, por besoj se asnjë lloj rezultati nuk mund të na japë një gjykim të menjëhershëm për skuadrën. Them se vetëm pas 4-5 javësh nga nisja e kampionatit mund të komentojmë për performancën e skuadrës nëse është aty ku duhet apo jo.