Opinion nga RAMADAN BIGZA
Mendimi për një debat të tillë, më lindi në pragndrrimin e viteve. Dy persona të rëndësishëm u përfshinë pa dashje në një debat, që më duket më shpejt u mbyll sesa u hap.
Kjo mbyllje më shumë sesa reflesksion ishte një trëmbje e specialistëve për të mos e zgjatur me të “madhin”, ndërsa gazetarët mesaduket janë ende larg profesionalizmit për ta trajtuar një temë të tillë, që gjithsesi do të ndihmojë në rritjen e cilësisë së futbollit tonë dhe realizimin e asaj ëndrre që presim tash sa vite, kualifikimin në ndonjë perj kompeticioneve më të rëndësishme europiane apo botërore.
Për të mos u zgjatur shumë po hy drejtë e në temë. Pak ditë më parë një nga specialistët e futbollit bëri një propozim, që futbollisti 19-vjeçar i Skënderbeut Peter Olainka të bëhet pjesë e kombëtares sonë.Ai e bëri këtë propozim nisur nga talenti i futbollistit nigerian dhe nga ofertat e shumta që kanë ardhur në adresë të tij nga disa klube të njohura europiane si Genk i Belgjikës,disa klube gjermane e më në fund edhe nga klubi i njohur turk Gallatasaraj. Por ky propozim edhe pse në këtë fazë , nuk e pati kohën e gjatë të reflektimit sepse përgjigja qe e menjëhershme. Madje nga vetë kreu i Fderatës shqiptare të futbollit Armand Duka. Duke folur gjatë një emisioni televiziv, Duka u shpreh:” . “Unë personalisht jam kundër. Mendoj se një Kombëtare duhet të përfaqësojë jo vetëm futbollin e një vendi, por edhe traditat, zakonet dhe gjuhën, ndaj në rastin konkret jam kundër. E ka bërë Gjermania, Austria, Italia, por kjo nuk do të thotë sipas meje që kanë bërë mirë. Mendoj se në Kombëtaren tonë duhet të luajnë futbollistë shqiptarë dhe sot jam krenar që kemi një skuadër mbarëkombëtare”.
Do të isha dakord me Dukën nëse ai do të kishte ndjekur të njëjtën metodë edhe me trajnerët. Dihet se lojtari kryesor i një skuadre futbolli është trajneri. Ai vërtetë nuk luan në fushën e lojës, pra nuk vrapon, nuk shënon, nuk sulon, nuk pret e nuk mbrohet por cfarë thotë ai , bën e gjithë skuadra. Pra 11 të tjerët i nënstrohen urdhërave të njëshit. Kjo është një sentence e njohur tashmë ,që askush nuk e kundërshton. Dhe në kohën e duhur kanë lulëzuar trajnerët e huaj, më shumë se në asnjë periudhë tjetër. Madje kjo ka ndodhur edhe kur kanë ikur dhe e kanë lënë kombëtaren në mes të rrugës, edhe kur na kanë fyer si ishte rasti i Dossenës, që preferoj të trajnojë një klub në arabi sesa kombëtaren e një vendi. Kjo ka ndodhur kur ka pasur të tillë që kanë bërtitur me të madhe se atje ( pra në Shqipëri) nuk ka kushte për futboll apo që futbollistët shesin e blejnë ndeshje.Madje kjo ka ndodhur kur këta trajnerë të superpaguar për kushtet e një vendi fukara nuk kanë kanë çuar më art se vendi i parafundit, çka po ti ndodhte trajnerëve shqiptarë do të kishin ikur me kohë.
U zgjata pak në këto raste sepse ato nuk mund të bëjnë përjashtim nga një rast i aktivizimit të një futbollisti të huaj. Në fakt nuk e kuptoj se çfarë e ndan një trajner të huaj nga një futbollist i huaj. Pra konkluzioni i zotit Duka më duket i shpejtuar, i paargumentuar por kurrsesi tendencioz ndaj një futbollisti, që vjen nga Afrika dhe përkundër afertave të majme, thotë me bindje se do të qëndroj në Korçë tek Skënderbeu.
Që një futbollist i huaj të luaj me kombëtaren e një vendi , nuk është më tabu. Atë e kanë bërë vende më konservatore se ne, e kanë vende me një reputacion të madh në futbollin botëror.Ende nuk jemi ndarë nga ato çfarë na dhuroj botërori i fundit i Brazilit, ku ishin 218 lojtarë që kishin dy pasaporta në xhep. 60 prej tyre kishin pasaportë franceze njërën nga pasaportat. Ishin 53 ata që e kishin italiane njrën pasaportë, 53 janë ata që e kanë spanjolle, 40 gjermane etj.
Pra, pa u futur në detaje, po konstatohet se skuadrat “kombëtare” janë gjithnjë e më pak kombëtare. Në “kombëtaren” amerikane gjen gjermanë, ka turq që luajnë për Gjermaninë apo “francezë” që luajtën për Algjerinë. Braziliani Diego Costa luajti për Spanjën, shqiptari Januzaj u federua me Belgjikën, nja gjashtë shqiptarë kontribuuan me sukses për Zvicrën dhe për sa u përket vëllezërve Boateng, njëri u shfaq si gjerman dhe tjetri si ganez. Madje kampion bote me Gjermaninë për herë të parë u shpall edhe një shqiptar me emrin sinjifikativ Shkodran.
Teksa shkruaj për këtë temë m’u kujtua Përparim Hetemaj kur luante në Greqi me AEK-un, e kur mediat vendase e quanin finlandez edhe pse luane me ekipin kombëtar të këtij vendi nordik. Po më gjeni një finlandez me emrin Përparim?.
Por shembullin më domethënës e kemi nga vendi fqinj Ialia. Italianët edhe pse ishin shpallë kampionë bote dy herë deri atëherë preferojnë të thërrasin në vitin 1940 në ekipin e tyre kombëtar futbollistin e Juventusit, shiqptarin Riza Lushta. Ndokush mund të thotë se kanë kaluar shumë vite që atëehere dhe se italianët tani kanë qëndrim tjetër ndaj të huajve. Unë them se jo. Për ta konkretuzuar po përmend një fakt nga ndeshja e fundit e kombëtares sonë me kombëtaren italiane. Numri 9 i italianëve, ai pra që shënoi në portën tonë, ishte një i ri afrikan. Njësoj si personazhi ynë Olianka. Ai quhej Okaka.Atëherë kur shtete shumë më të fuqishëm se ne me një superstandard futbolli nuk e kanë për fyerje të kenë në ekipin e tyre kombëtar futbollist të huaj, përse të mos e bëjmë edhe ne, që e kemi domosdoshmëri?.
Peter Olainka është vetëm 19 vjeç. Ai mund të bëhet një futbollist i madh derisa në këtë moshë kërkoher nga Gallatasaraj për të mbuluar boshllëqet që la në sulmin e këtij ekipi një futbollist i kalibrit Didier Dogba, tregon shumë . Çfarë të keqe mund të ketë kombëtarja jonë po të ketë në përbërje një futbollist të talentuar nga një vend tjetër?. Asgjë. Nga ajo çfarë po shohim, kjo gjë tashmë është kthyer në një praktikë botërore. Gjithsesi ky është vetëm një mendim i imi, që kërkon patjetër një debat më të gjerë ku të marrin pjesë jo vetëm gazetarë por edhe specialistë futbolli. Koha nuk pret. Në rastin tonë, ne e kemi “zogun” në duar, po e lamë të ikë do të përfundojë tek të tjerët, që ndoshta kanë shumë më pak nevojë se ne. Dëshëroj që skuadra jonë kombëtare të kualifikohet për në finalet e Kampionatit Europian që zhvillohet në Francë por nëse nuk e arrijmë këtë gjë, siç edhe ka ndodhur në disa raste, mendja do të na kthehet pas për të kujtuar rastin që humbëm, të huajin e kombëtares.