Nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia dhe presidenti i saj Alban Xhaferi tani janë më të qetë. Në ndeshjet europiane, u panë në fushë futbollistët e afruar të kuqebluve dhe paraqitja e tyre ka qenë goxha e mirë. Si Bismark Charles, Aleksandër Kuro dhe Elmando Gjini kanë treguar veten.

Më shumë në sy kanë rënë ganezi dhe shkodrani, të cilët jo vetëm që treguan veten në ndeshjet europiane, por që të dy ishin shumë aktivë në fushën e lojës.

Burime të “Shkodra Sport” bëjnë me dije se paraqitja e futbollistëve ka kënaqur edhe presidentin Alban Xhaferi. Megjithatë nga ana tjetër, skuadra ka për të përmirësuar përsëri disa gjëra në mbrojtje apo edhe në mesfushë.

Nga sa bëhet me dije, në skuadër pritet të ketë edhe të paktën dy afrime. Emrat e futbollistëve do të zyrtarizohen pas ndeshjes së kthimit me Vikingur. Vllaznisë i duhet një afrim në mesfushë dhe një në mbrojtje, për të mos folur pastaj që edhe në sulm duhet një tjetër futbollist, pasi Bismark Charles do të rikthehet te Skënderbeu.

Gjithsesi, deri në mbyllje të merkatos ka ende kohë, me kuqeblutë që kanë objektiva të qartë. Afrimet nuk do të ndalen dhe trajneri Edi Martini do t’i vendoset në dispozicion organika e duhur për të qenë pretendentë për kampionatin e ri.(www.shkodrasport.com)