Në merkaton e verës së shkuar u transferua nga Vllaznia në kampionatin e Emirateve të Bashkuara Arabe, te skuadra e Ittihad Kalba. Fjala është për Rejan Alivodën, mesfushorin shkodran, i cili së fundmi në një intervistë për “Panorama Sport” ka rrëfyer eksperiencën e tij në këtë ligë. Ndër të tjera, 21-vjeçari ndalet edhe te zërat për një rikthim të mundshëm te Vllaznia e ndërsa komenton edhe se si i shikon kuqeblutë në prag të sezonit të ri.
Sezoni i dytë në Emirate, ndiheni më mirë me kampionatin tani?
Po, ndihem realisht mirë dhe akoma më i përshtatur me gjithçka. Jo vetëm futbollin, por edhe klimën, mënyrën e jetesës që ndryshon me Europën apo edhe mentalitetin këtu. Them se viti i parë më shërbeu të forcohem, nëse mund ta them kështu dhe shpresoj që ky edicion që po vjen të jetë shumë më shumë pozitiv për mua, por edhe skuadrën për të arritur objektivat.
Pati ndonjë ofertë tjetër në drejtimin tuaj përveç Vllaznisë, siç u aludua?
Pasi doli lajmi më kanë kontaktuar edhe klube të tjera nga kampionati shqiptar, por emrat nuk i jap (qesh). Përtej humorit, shprehën interesim ndaj meje dhe i falënderoj, sepse u ndjeva i vlerësuar. Por, kontrata me Ittihad Kalba më mban këtu dhe aktualisht një kthim në Shqipëri nuk është në planet e mia.
Mendoni se do e kalojnë turin e parë në “Conference League”?
Besoj se Vllaznia do të bëjë ndeshje të mirë në turin e parë dhe do të arrijë ta kalojë atë. Pse jo ndoshta edhe të dytin, sepse mendoj se skuadra i ka mundësitë. Së bashku me mbështetjen e pakursyer dhe shumë të madhe të tifozëve, jam i bindur se provën e parë në Conference League do e kalojnë me sukses.