Nga Ilir KEPA, ish- futbollist i Vllaznisë dhe Kombëtares
Rreth vitit 1979-1980 ose 1978-1979, nuk jam i sigurtë për vitin por deshta ti kujtoj Lulzim Bërshenit spartakiadën kombëtare në Korçe me trajner Agim Medjen. Isha kapiteni i ekipit dhe në ekip kishim supër talenta por të gjithë ishim të shkurtër. Krah meje kisha Lulin dhe Viktor Xhanin dhe shumë të tjerë që nuk më kujtohen emrat për fat të keq.
U cilësuam ekipi më teknik dhe shumë spektakolar i turneut. I kemi bërë “me fol me vedi” të gjithë kundërshtarët duke i dribluar dhe renditja në klasifikim nuk më kujtohet. Një ditë gjatë turneut shohim autobuzin e ekipit kombëtar dhe afrohem afër. Shoh Ferid Rragamin, ishte ulur në sedilet e fillimit dhe i tham shokut tem që ishte me mu:
-Shif, shih, asht Rragami…
-Hajde mar burr, më thot, lene Rragamin se kena ndeshje me lujt itash.
I tham…
-Nji ditë edhe unë do të bahem si ai….
-Hajde mar e leni andrrat, më pergjigjet.
Po atë vit konkurrova në testet e pranimit të Shkollës se Mjeshtrisë Sportive të Futbollit në Tiranë dhe më pranuan si përjashtim sepse kushti për tu pranuar ishte gjatësia 1.70, dhe unë isha jo ma shumë se 1.58.
Me thanë se juria dhe Loro Boriçi më kishin pranuar falë talentit (kam pasur fatin ta takoj në Tiranë tek klubi i Partizanit kur luanim Shkëndia – Partizani). Vdiq në 1984- in. Dhe fëmija që kishte ëndërr me u ba si Rragami, u gjend në të njejtin ekip pas 5 ose 6 vitesh tek Vllaznia në 1985.
Vllaznia e fundvitit 1980, nga e djathta ulur, Ferid Rragami, Ilir Kepa, Lulzim Bersheni