Në kampin vorak po vijojnë përgatitjet, për ndeshjen e fundjavës, që do të zhvillojnë kundër kryesuesve të Superiores, Vllaznisë së Shkodrës. Asnjëherë Vora, nuk ka mundur të marrë një fitore në duelet mes tyre e këtë herë duket se do të arrijnë suksesin e parë.
Kjo duket edhe në motivimin e lojtarëve të Vorës për këtë sfidë sa e rëndësishme po aq jetike në luftën e tyre për mbijetesën. E lidhur me këtë ndeshje delikate, por mjaft të rëndësishme në ecurinë e finishit të vorakëve, futbollisti që erdhi nga Londra për t’ju bashkuar Vorës, 25-vjeçari Kevin Dalipi, që mbart në fanellë numrin 18, është i bindur se këtë herë, Vora do ta mund Vllazninë, kjo jo vetëm për shkakun, për të regjistruar një fitore historike kundër tyre, por edhe për vetë faktin se u duhen pikët.
Ai për “Panorama Sport” do të shprehet: “Sigurisht që nuk mund të krahasohemi me shkodranët, që mbartin një histori, të nisur që në krijimin e futbollit shqiptar përsa i përket emrit të klubit, por ndaj Vllaznisë ne do të luajmë vetëm për fitore, pasi mbijetesën e klubit tonë, nuk e kam vetëm unë një detyrim, por i gjithë ekipi ynë”, ishin këto fjalët e para të mesfushorit shkatërrues, që ka kontribuar këtë sezon për Vorën në 20 ndeshje të luajtura.
“Ndodhemi në një fazë mjaft të vështirë të kampionatit ku po kalon ekipi ynë e aq më tepër që luajmë ndaj skuadre nga më të fortat e Superiores, që padiskutim është një meritë e veçantë e kësaj skuadre, që kryeson Superioren. Ajo është një skuadër mjaft e rrezikshme sidomos në transfertë, gjë e tregoi edhe në Vorë gjatë fazës së tretë, kur u mundëm 0-2. Prandaj nga ana jonë, ajo ka marrë vlerësimin maksimal, për të bërë ta mundur, që ne të dalim me tre pikë nga kjo sfidë.
Edhe pse koha jonë është e shkurtër dhe pa përvojën e shkodranëve, por duke u bazuar në cilësitë e lojtarëve tanë dhe përvojës së tyre dhe se diferencat nuk janë të tilla, sa të mund të dorëzohemi përballë një kundërshtari të tillë, mendoj se do ja dalim me sukses gjatë kësaj përballje. Ne do të bëjmë të pamundurën për të marrë një fitore”, tha ai.
Së fundi duke mbyllur prononcimin e tij, Dalipi shprehet edhe për mbijetesën dhe është i sigurtë që ekipi i Vorës do të jetë pjesë e Superiores edhe sezonin e ardhshëm. “Pavarësisht se jemi në këto pozita, ku diskutojmë mbijetesën, mendoj se Vora ka qenë një skuadër debutuese e denjë e këtij kampionati, duke dhënë spektakël në shumë prej ndeshjeve të saj, por njëkohësisht rezultatet nuk kanë qenë reale, nga ato që priteshin, sepse në shumë ndeshje jemi penalizuar me mungesa të shumta dhe asnjëherë nuk kemi qenë të plotë.
Fati i mirë, në këtë fund kampionati është, se tashmë të gjithë janë të gatshëm e në dispozicion të skuadrës për të kontribuar në objektivin tonë madhor, në atë të mbijetesës. Jam i sigurtë, duke u bazuar në grupin e lojtarëve, që të krijon besueshmërinë, se kjo Vorë do të jetë pjesëtare edhe në sezonin e ardhshëm të Superiores shqiptare”, përfundon prononcimin e tij Kevin Dalipi.


