Ish-sulmuesi i njohur, Bledar Mancaku, i cili është aktivizuar në radhët e Teutës, por edhe me disa ekipe të tjera ka folur për “Panorama Sport” për ecurinë e skuadrës bregdetare, e cila në ndeshjen e fundit është mundur në Laç.

Sipas ish-sulmuesit, Teuta i ka lojtarët për të ecur përpara dhe mendon se diferenca me kreun nuk është shumë e madhe dhe sa i përket titullit gjithçka mbetet e hapur. Për Mancakun fitorja ndaj Apolonisë është domosdoshmëri për “djemtë e detit”, por kërkon që të gjendet zgjidhja e duhur për të rregulluar problemet në fazën sulmuese. Gjithsesi, ish-sulmuesi është optimist, pasi ka ende ndeshje në dispozicion ku durrsakët mund të tregojnë vlerat e tyre.

Si e gjykoni ecurinë e Teutës deri më tani?

Tek ecuria e Teutës ka diçka që nuk shkon, ka problem në shënimin e golit. Por në gjykimin tim, Teuta është përsëri aty. Nuk është një ekip me të rinj. Lojtarët kanë relativisht një moshë mesatare, kanë pjekurinë për të përballuar sfidat e një kampionati dhe për të dalë nga situata në të cilën ndodhen.

Golat kanë munguar në këtë sezon dhe “melodia” ka qenë deri diku me nota stonuese? Mund të kenë ndikuar disa faktorë. Teuta ka krijuar shumë raste këtë vit, por nuk ka konkretizuar. Duhet të mundohen ta zgjidhin, nëse është çështje fokusimi apo diçka tjetër.  Duhet ta gjejnë zgjidhjen te vetja, duhet të jenë më efikasë.

Sipas jush, çfarë nuk shkoi në Laç?

Me humbjen në Laç u evidentua se diçka çalon. Mendoj se skuadra ka nevojë për qetësi. Kam bindjen se Teuta do të luftojë për kreun, kampionati është i gjatë, ka sfida plot për të treguar veten. Edhe Vllaznia do të ketë vështirësitë e veta. Shkëputja duket relativisht e madhe, por nuk është edhe aq.

Ndeshja e radhës ndaj Apolonisë, a është fitorja detyrim për Teutën?

Sfida e radhës kundër Apolonisë është e rëndësishme për Teutën dhe fitorja është e domosdoshme. Me të tilla ekipe është me e vështirë, por pikërisht fitoret me ekipet e ashtuquajtura të vogla të japin mundësi të shkuar te titulli.

Ju e ndiqni kampionatin shqiptar, çfarë mendimi keni për këtë sezon?

Po, po, e ndjek rregullisht. Për mendimin tim ecuria është pozitive, është përmirësuar shumë kampionati. Stadiumet janë rregulluar, janë hapur akademi, po lëviz diçka në futbollin shqiptar. Unë e shikoj pozitivisht. Natyrisht, ka shumë gjëra për t’u përmirësuar e rregulluar, por sërish në këto 10 vitet e fundit e shoh futbollin në mënyrë pozitive.