Nga Gjergj KOLA
Nëse flasim për futbollin shkodran, kuptohet që janë të shumtë ata të cilët e kanë nderuar atë në vite por sot do të ndalemi tek një personazh “disi i harruar”. Themi kështu sepse karriera e tij ka qenë brilante, por që në fakt asnjëherë nuk mori meritat e duhura dhe prandaj mbase sot është momenti i duhur për ta rikthyer në vëmendje.
Për më tepër që dita e sotme përkon me atë të 19 vjetorit të ndarjes së tij nga jeta. E kemi fjalën për ish- futbollistin e Vllaznisë, Dinamos, por edhe të ekipit tonë kombëtar, Qemal Qungu.
Ai ka lindur në Shkodër më 5 prill të vitit 1924 dhe merret me futboll që në moshë të vogël. Luante në qendër të mbrojtjes dhe me Vllazninë do të angazhohej duke filluar nga viti 1947 dhe do të luante me të për dy vite me rradhë. Më pas, në vitin 1950 do të luante me Besëlidhjen e Lezhës, para se të kalonte tek Dinamo e Tiranës.
Me këtë të fundit do të luante në vitet 1950- 1955 dhe kontribuon në fitoren e disa trofeve duke mbajtur madje edhe shiritin e kapitenit të saj. Në këto vite me Dinamo, Qemal Cungu do të fitonte plot 9 trofe, pikërisht 5 tituj kampion në vitet 1950, 1951, 1952, 1953, 1954 dhe 1955 si dhe 4 herë fitues i Kupës së Shqipërisë në vitet 1950, 1951, 1952, 1953 dhe 1954.
Në vitin 1952 është nderuar me titullin “Mjeshtër Sporti” duke qenë kështu pjesë e 12 Mjeshtrave të parë të nderuar në vendin tonë dhe kjo pikërisht për kontributin e tij të madh në fushën e futbollit. Ndërkohë protagonisti i këtij shkrimi ka qenë për 10 vite me rradhë edhe pjesë e ekipit kombëtar shqiptar.
Në vitin 1956 rikthehet në Shkodër dhe për një vit do të bëhej pjesë e ekipit Dinamo e Shkodrës (në ato vite në Shkodër ekzistonin tre ekipe, Dinamo, Puna dhe Spartaku). Në vitin 1957 Qemali do të kalonte tek Vllaznia me të cilën do të luante deri në vitin 1961 dhe si rrjedhojë këtu do t’i jepte fund futbollit të luajtur në moshën 37 vjeçare.
Fisi “Cungu” ka nxjerrë nga rradhët e tij përveç Qemalit, edhe Ziaja dhe Beqiri të cilët po ashtu kanë dhënë kontributin e tyre për futbollin shkodran e shqiptar. Megjithatë Qemal Cungu ka qenë ai që ka lënë më shumë gjurmë me 9 trofetë e fituara dhe me aktivizimin për një dekadë në rradhët e ekipit kombëtar. U nda nga jeta si sot 19 vjet më parë, pikërisht më 3 janar të vitit 2006./www.shkodrasport.com/
Qemal Cungu dhe Muhamet Dibra me kombetaren ne vitin 1952
Qemal Cungu ne rolin e kapitenit te Dinamos, para ndeshjes me Dozha te Budapestit