40 vjet më parë në stadiumin “Vojo Kushi” është luajtur ndeshja e cila ka hyrë në historinë e futbollit shkodran, ajo në mes Vllaznisë dhe Austrisë së Vjenës.

Shkodranët kanë fituar me rezultatin 2-0 duke realizuar këshu një nga sukseset më të mëdha të tyre. Po si është pasqyruar në shtypin e kohës ky sukses?

Gazetari i njohur Namik Mehmeti e pat përshkruar këtë fitore në mënyrën e duhur në faqet e “Sporti Popullor” bashkë me kolegun e tij Nexhat Gjuzi. Namiku ka qenë këto ditë në Shkodër pasi prej vitesh jeton në Itali dhe na ka sjellë dorazi atë shkrim bashkë edhe me foton ilustruese të asaj ndeshje, të cilin ne po ua përcjellim më poshtë:

“13 shtator 1978. Në stadiumin “Vojo Kushi” të qytetit të Shkodrës të mbushur si rrallë herë me spektatorë. Vllaznia e Shkodrës: Kaçi, Basha, Çanga, Berisha, Duraj, Hafizi, Bizi, Vukatana, Axhani, Zhega dhe Ballgjini. Golashënues- Zhega në minutën e 8-të dhe Ballgjini në në 57.
Gjyqtarë: -Treshe rumune, kryeso Anderko Otto.

Ndeshja e së mërkurës është nga ato takime që mbeten në kujtesën e sportdashësve për një kohë të gjatë. Dhe jo pse u shënua një fitore. Kjo në stadiumin “Vojo Kushi” është parë vazhdimisht ndaj skuadrave të huaja. (Madje për kuriozitet duhet thënë se që nga viti 1952 në këtë stadium nuk ka fituar asnjë skuadër e huaj).

Por sepse ajo ngjalli më shumë emocione sepse pati aq shumë zjarr, forcë, dinamizëm, teknikë dhe finesë. Dhe nëse pas afro një jave ndjehet në këto radhë toni emocionues, kjo motivon atë që thamë më lart: loja e Vllaznisë ishte dinjitoze, fitorja e bukur plotësisht e merituar.

Ajo merr më tepër ngjyrë po të kihet parasysh fakti se u arrit ndaj nji skuadre të mirënjohur finaliste e kupës së kupave edicionin e kaluar dhe bazë për ekipin përfaqësues të Austrisë, në finalet e fundit të kampionatit botëror të futbollit.

Pra, në këtë plan fitorja e ekipit tonë është një afirmim i ri i vlerave dhe mundësive të mëdha që kanë futbollistët dhe futbolli ynë për t’u ndeshur e për të fituar edhe me skuadra të tilla me emër.

Duke vlerësuar ndeshjen në përgjithësi përgëzimi i fitoreve i takon kolektivit të futbollistëve tërë 11-shit luftarak që nga numri 1 dhe deri tek 11-ta, u takon trajnerëve Xh. Shaqiri e R. Rragami, tërë lojtarëve që përbëjnë ekipin e Vllaznisë, sepse fitorja nuk erdhi vetvetiu.

Ajo është rezultat i përgatitjes së shëndoshë i mundit dhe i përpjekjeve të të gjithëve, për të përfaqësuar me dinjitet vlerat e vërteta të futbollit shkodran dhe atij shqiptar në përgjithësi. Dhe nëse Vllaznia arriti të na japë një spektakël futbolli, burimi duhet gjetur në një vend, tek puna.

Vllaznia ka punuar seriozisht për t’u përgatitur e për t’u përfaqësuar me lojë të bukur. Dhe duke i përgëzuar për lojën, për shpirtin e garës, për freskinë e mendimit e të interpretimit të saktë, për teknikën e lartë, teknikën e zhdërvjelltë, për golat e rastet e shumta që na dhanë kemi përshëndetur njerëzit e punës.

Mendimi i shprehur nga përfaqësuesi i UEFA-s Jozef Starek: “Futbolli i Vllaznisë në këtë takim ishte i shkëlqyer. Po të luajë kështu edhe në Vienë padyshim ajo do të jetë fituese e turit”
NEXHAT GJUZI
NAMIK MEHMETI