Elseid Hysaj vazhdon të jetë i paqartë për të ardhmen e tij. Në aspektin sportiv, me ardhjen e Ançelotit ai ka humbur pak besimin në ambientin napolitan, pasi fillon të shohë gjithnjë e më shumë jo vetëm të luajë në krahun ku preferon më pak, por edhe më shpesh stolin, siç ndodhi në Ligën e Kampioneve ndaj PSG-së. Por pavarësisht kësaj, klubi është gati që t’i rinovojë kontratën mbrojtësit për të vazhduar bashkëpunimin me të.

Në këtë pikë, situata është bërë paksa e komplikuar, pasi menaxheri i futbollistit, Mario Xhiufredi, vazhdon të tregohet mjaft agresiv me kërkesat që ka, i bindur se lojtari në verë mund të transferohet në Angli ku e pret krahëhapur Mauricio Sarri te Çelsi.

Kësisoj, ai i ka kërkuar një rrogë prej 3 milionë eurosh klubit italian, por De Laurentis duket se nuk ka ndër mend të paguajë një shifër të tillë për lojtarin i cili tashmë nuk e ka të garantuar vendin në formacion. Sipas mediave italiane, oferta e Napolit është një rrogë deri në 2,5 milionë euro në sezon.

Kjo diferencë prej 500 mijë eurosh është ajo që mban peng rinovimin mes palëve, ashtu si fakti se Napoli nuk ka ndër mend që të heqë klauzolën e largimit të lojtarit, e cila është prej 50 milionë eurosh.

Palët pritet të takohen në javët e ardhshme, por për momentin, duket se klubi nuk është gati të pranojë kërkesat e menaxherit të Hysajt. /vipsport/