Ka mbushur 16 vjeç vetëm pak ditë më përpara. Megjithatë fiziku, përgatitja dhe të dhënat që ai ka, mund t’ia lejojnë aktivizimin me ekipe me lojtarë më të mëdhenj në moshë. Dhe në fakt kështu ka ndodhur në aktivitetin e para pak ditëve, trofeun e “Shkodra Summer Cup”.
E kemi fjalën për sulmuesin e Akademisë Vllaznia Sebastian Gjeka. Ai u afrua tek ekipi U19 për të marrë pjesë në këtë aktivitet dhe e justifikoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Lojtari shtatëlartë ka qenë njëri prej protagonistëve kryesorë në fitoren 3-1 ndaj ekipit të Shkodrës në finalen e turneut.
Gjeka ka shënuar një gol në këtë ndeshje dhe ka dhënë njëkohësisht edhe asistet në dy golat e shënuar nga Emanuel. Jo keq për një 16 vjeçar, 1 gol dhe 2 asiste në një finale, apo jo!!!!
Lojtari në fjalë muajin e kaluar u shpall kampion me ekipin Vllaznia U16, ndërsa në sezonin 2024-2025 u pat shpallur si pjesë e formacionit më të mirë të kampionatit U15. Një futbollist që premton për të ardhmen dhe tek Akademia Vllaznia po e shohin me prioritet një futbollist të tillë i cili brenda pak vitesh me siguri do të bëjë emër në futbollin shqiptar.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


