Tuesday, June 30, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREFaza përgatitore, Vllaznia me një 'sy' edhe nga elementi i ri

Faza përgatitore, Vllaznia me një ‘sy’ edhe nga elementi i ri

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia nuk po mendon vetëm për suksesin e menjëhershëm, por edhe për të ardhmen. Kjo është reflektuar qartë gjatë fazës përgatitore në Slloveni, ku një numër i konsiderueshëm futbollistësh të rinj i janë bashkuar ekipit të parë. Klubi shkodran vijon t’i kushtojë rëndësi akademisë, duke u dhënë talenteve mundësinë të stërviten dhe të rriten pranë futbollistëve më me eksperiencë.

Për trajnerin Edi Martini dhe stafin e tij teknik, kjo periudhë është një mundësi ideale për të vlerësuar nga afër potencialin e secilit prej tyre. Përveç rezultateve të ndeshjeve miqësore, fokusi është edhe te mënyra se si të rinjtë përshtaten me ritmin e ekipit të parë, reagojnë në stërvitje dhe përballojnë kërkesat e futbollit profesionist.

Ata që do të arrijnë të bindin stafin teknik me paraqitjet e tyre, pritet të kenë mundësinë të fitojnë minuta edhe gjatë sezonit. Vllaznia ka treguar edhe në vitet e fundit se nuk heziton t’u besojë futbollistëve të dalë nga akademia, nëse ata e meritojnë me punën dhe nivelin e shfaqur në fushë.

Nga ana tjetër, drejtuesit janë të vetëdijshëm se jo të gjithë të rinjtë mund të gjejnë hapësirat e nevojshme në skuadrën e parë. Pikërisht për këtë arsye, në plan mbeten edhe huazimet e disa prej tyre te skuadra të tjera, me qëllim që të sigurojnë minutazhin e duhur dhe të vazhdojnë procesin e zhvillimit në kushte konkurruese.

Në fund, objektivi i Vllaznisë është i qartë: të ndërtojë një urë të fortë mes akademisë dhe ekipit të parë. Faza përgatitore në Slloveni është vetëm hapi i parë i këtij procesi, ndërsa muajt në vazhdim do të tregojnë se cilët prej talenteve të rinj do të arrijnë të fitojnë një vend të rëndësishëm në projektin kuqeblu.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments