Mario Mitaj nuk e ka nisur ashtu siç pritej aventurën e tij në Serinë A, pasi në muajt e parë të tij te Genoa, ka luajtur vetëm pjesëza ndeshjesh, duke qenë rrallëherë vendimtar në fushën e lojës. Por njeriu që drejton agjensinë e menaxhimit e cila ka nën kontratë mbrojtësin e kombëtares shqiptare- Silvio Pagliari, duket i bindur se e ardhmja e mbrojtësit të majtë është me një rol protagonisti në elitën e futbollit italian.
Në një intervistë për “TMË”, ai i ka kushtuar vëmendje pikërisht edhe Mitajt, të cilin pret ta shohë më me rregullsi në fushë në pjesën e dytë të sezonit.
“E ka nisur pak nën ritëm pasi vjen nga një kampionat i ndryshëm, por në paraqitjet e fundit është parë Mitaj i vërtetë. Ai është një lojtar i rëndësishëm, është i fortë, që tani është pjesë e ekipit kombëtar.
Edhe me Shqipërinë ka zhvilluar ndeshje të mëdha. Mendoj se mund të jetë protagonist në fazën e dytë”, u shpreh Pagliari për mbrojtësin e majtë i cili u transferua në Itali nga radhët e Al Itihad në Arabinë Saudite. Pagliari tek “BSP Football Agency” bashkëpunon me shkodranin Benardin Kulla i cili është njeriu më i afërt i Mitajt dhe kontrollon të gjitha transfertat e tij.


