Shkruar nga Gjergj KOLA
Kampionati skocez i futbollit ka hyrë në fazën e tij finale dhe kur kanë mbetur edhe katër ndeshje nga fundi, ekipi Hearts kryeson renditjen mee 3 pikë më shumë sesa Celtic dhe 4 më shumë se Rangers. Këto dy ekipet e fundit bëjnë ligjin prej vitesh, por sivjet duket se gjërat do të marrin rrjedhë tjetër.
Dhe interesante është se në rradhët e Hearts luan edhe një futbollist shkodran, pikërisht Sabah Kerjota. Ai ka qenë futbollist i Akademisë Vllaznia deri në moshën 17 vjeç dhe më pas kaloi në Itali ku hasi në shumë vështirësi për arsye të mungesë së dokumentacionit, megjithatë vetëm sezonin e kaluar ai arriti të shfaqte vlerat e tij ashtu si duhet duke kontribuar në shpalljen kampion dhe ngjitjen e ekipit Sambenedeteze në Serinë C, duke qenë autor i 10 golave dhe 13 asisteve.
Dhe në verën që shkoi menaxheri i tij Silvio Pagliari arriti t’i siguronte një transferim të bujshëm duke e dërguar tek njëri prej ekipeve elitare në Skoci- Hearts. Kuptohet që 24 vjeçari shqiptar mbërriti atje me vonesë kur kampionati kishte nisur dhe sigurisht që do të ishte e vështirë të çante menjëherë sepse skuadra po fitonte dhe kryesonte renditjen.
Megjithatë sa herë që i është kërkuar ndihma e tij ai e ka dhënë ashtu si duhet dhe kështu veproi edhe në ndeshjen e para tre ditëve ndaj Hibernian është hedhur në fushë në fillimin e pjesës së dytë kur skuadra e tij ishte në humbje 0-1 dhe Kerjota dha dy asiste duke ndihmuar në fitoren e Hearts, një fitore që e afron edhe më shumë me titullin kampion. Jo më kot, ai u shpall “Lojtari i ndeshjes” dhe njëkohësisht u zgjodh edhe në “Formacionin më të mirë të javës”.
Gazeta “Shkodra Sport” ka zhvilluar ndërkohë një bisedë të shkurtër me Sabah Kerjotën dhe ai është shprehur i lumtur për kontributin që po jep për skuadrën e tij.
“Kjo ndaj Hibernian ka qenë një ndeshje shumë e vështirë sepse ishte një derbi dhe kjo ndeshjee këtu është gjithçka për tifozët. Kuptohet që jam i lumtur për lojën time dhe asistet që dhashë të cilët e ndihmuan ekipin të merrte një fitore të çmuar. Pastaj sa për çmimin si “Lojtari i ndeshjes” dhe përzgjedhjen në “Formacionin më të mirë të javës”, kuptohet që janë vlerësime që më motivojnë edhe më shumë për të ardhmen”.
Por a kishte vetë besim Sabahi kur e thirri trajneri për të hyrë në fushë se do të ishte ai protagonisti kryesor i ndeshjes? Sulmuesi anësor përgjigjet: “Çdo herë që luaj dhe jam në fushë mundohem të jem protagonist sepse vetë stili i lojës që bëj nganjëherë më bën të jem i tillë. Megjithatë çdo gjë shkoi mirë dhe ka qenë një e dielë për t’u mbajtur mend. E përkryer për mua dhe me vlerësimet që mora padyshim që gjithçka u bë edhe më e bukur. A pres më shumë minuta? Unë jam gjithmonë në dispozicion dhe këtë e vendos trajneri”.
Sa shanse ka Hearts të shpallet kampion kur kanë mbetur edhe 4 sfida deri në fund të kampionatit? Kerjota thotë: “Do të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta arritur por është ende e hapur. Pas të hënës së ardhshme mendoj se mund të ketë një parashikim më të saktë se çfarë do të ndodhë. Ndeshjen e rradhës e kemi me Rangers dhe do të bëjmë ç’ është e mundur për ta fituar edhe atë”.
Po çfarë do të thotë për Sabah Kerjotën kalimi nga kampion i Seria D në Itali, tek aroma e titullit në Supeligën skoceze? Shkodrani shprehet: “Ndjesia nga brenda është e njëjtë deri diku se kudo që të luash ke dëshirë të fitosh, por ndryshimi është se këtu nëse fiton, luan më pas në Champions League dhe është diçka për t’u mbajtur mend. Luan me skuadra me emër, në stadiume të mëdha dhe padyshim që ndryshimi është i madh dhe unë po mundohem ta shijoj këtë eksperiencë”.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


