Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia do të përballet të mërkurën me Vorën në javën e nëntë të kampionatit “Abissnet Superiore”, në një duel ku statistikat e përballjeve direkte flasin qartë në favor të kuqebluve. Skuadra e Vorës, që sezonin e kaluar debutoi për herë të parë në elitën e futbollit shqiptar, u ndesh katër herë me shkodranët, por nuk arriti të fitojë asnjë prej këtyre sfidave.
Në sezonin 2025-2026, Vllaznia e nisi me fitore përballjen e parë mes dy ekipeve, duke triumfuar me rezultatin 2-0. Në atë takim, protagonistë me golat e tyre ishin Bekim Balaj dhe Murataj, të cilët i dhanë skuadrës shkodrane tri pikët e para në përballjet direkte me ekipin vorak.
Sfida e fazës së dytë përfundoi në barazim pa gola, 0-0, me të dyja skuadrat që nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës. Ndërkohë, në përballjen e fazës së tretë, Vllaznia arriti të merrte një tjetër fitore, këtë herë falë golit të Kallakut, duke konfirmuar epërsinë ndaj kundërshtarit.
Edhe takimi i fazës së katërt nuk solli një fitues, pasi dy ekipet u ndanë në barazim 0-0.Kështu, bilanci i katër përballjeve të sezonit të kaluar regjistroi dy fitore për Vllazninë dhe dy barazime, ndërsa Vora mbeti pa asnjë triumf ndaj kuqebluve.
Një tjetër statistikë që bie në sy është fakti se Vora nuk ka arritur të shënojë ndaj Vllaznisë në përballjet e saj në elitën e futbollit shqiptar. Megjithatë, përballja e radhës do të jetë një mundësi e re për ekipin vorak për të ndryshuar këtë ecuri, ndërsa shkodranët synojnë të vazhdojnë traditën pozitive në këtë duel.
Edhe përballjet e mëparshme në Kategorinë e Parë kanë folur në favor të Vllaznisë. Në dy ndeshjet e zhvilluara mes tyre në atë nivel, shkodranët kanë regjistruar fitore me rezultatet 1-6 dhe 3-1. Tashmë, në prag të sfidës së javës së nëntë të sezonit 2026-2027, kuqeblutë synojnë të konfirmojnë edhe një herë superioritetin ndaj Vorës.


