FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREDuelet në transferta, Vllaznia 'vuan' larg 'Loro Boriçit'

Duelet në transferta, Vllaznia ‘vuan’ larg ‘Loro Boriçit’

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia e ka mbyllur fazën e parë të kampionatit me një bilanc larg pritshmërive, duke grumbulluar vetëm 8 pikë nga 27 të mundshme. Një start zhgënjyes për shkodranët, të cilët e shohin veten në vendin e parafundit të renditjes, shumë larg objektivave të një skuadre që synon të jetë protagoniste në Superiore. Një situatë që kërkon reagim të menjëhershëm, në mënyrë që sezoni të mos marrë një drejtim edhe më problematik.

Një nga shqetësimet më të mëdha që ka shoqëruar kuqeblutë gjatë këtyre nëntë javëve është paraqitja në ndeshjet jashtë Shkodrës. Pikërisht në transfertë, Vllaznia ka treguar vështirësi të dukshme për të marrë rezultate pozitive, duke humbur pikë të rëndësishme që sot reflektohen drejtpërdrejt në pozicionin e saj në tabelë.

Në katër ndeshjet e zhvilluara larg stadiumit “Loro Boriçi”, shkodranët kanë arritur të marrin vetëm një pikë, atë të barazimit 1-1 ndaj Elbasanit. Një bilanc që flet qartë për problemet e skuadrës në transfertë dhe që tregon se Vllaznia nuk ka arritur të gjejë ende ekuilibrin e duhur kur luan larg mbështetjes së tifozëve të saj.

Përveç barazimit në Elbasan, kuqeblutë janë larguar pa pikë nga përballjet me Laçin, Egnatian dhe Vorën. Humbja 2-0 ndaj laçianëve, ajo 3-1 në Rrogozhinë dhe disfatën e fundit 2-1 përballë Vorës kanë thelluar krizën e rezultateve, duke nxjerrë në pah vështirësitë e ekipit për të qenë konkurrues përgjatë 90 minutave në fushat kundërshtare.

Për një skuadër me traditën dhe ambiciet e Vllaznisë, ky është një tregues që nuk mund të anashkalohet. Në fazën e dytë, shkodranët duhet të ndryshojnë medoemos qasjen në transfertë, duke treguar më shumë siguri, përqendrim dhe personalitet. Pikët e humbura jashtë fushe kanë një peshë të madhe në ecurinë e kampionatit, ndaj përmirësimi në këtë aspekt është një domosdoshmëri për të dalë nga zona e vështirë e renditjes.

Dhe mundësia e radhës për të dhënë një sinjal pozitiv vjen që këtë të dielë, kur Vllaznia do të luajë sërish në transfertë, këtë herë përballë Skënderbeut në Korçë. Një tjetër sfidë e vështirë, por edhe një shans për kuqeblutë që të tregojnë se mund të reagojnë dhe të nisin një kapitull të ri. Pas një faze të parë me vetëm 8 pikë, skuadra e trajnerit Laszlo ka nevojë më shumë se kurrë për rezultate, dhe kthesa duhet të nisë pikërisht larg Shkodrës.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments