Shkruar nga Endri ÇINARI
Csaba Lazslo ka plotësuar tashmë një gjysmë faze në drejtimin e Vllaznisë, duke pasur mundësinë të japë idetë e tij në skuadrën shkodrane. Trajneri hungarez e ka nisur aventurën në stolin kuqeblu me një bilanc të ekuilibruar, ku në katër ndeshjet e para nuk ka regjistruar asnjë barazim, por dy fitore dhe po aq humbje.
Fitorja 1-0 ndaj Dinamos ishte një sinjal pozitiv për skuadrën, që më pas pësoi një humbje 3-1 në transfertë ndaj Egnatias. Reagimi nuk vonoi, pasi shkodranët arritën të triumfonin 2-0 në klasiken ndaj Tiranës, duke dhënë shenja të qarta përmirësimi. Megjithatë, në sfidën e radhës kundër Vorës, Vllaznia u mposht 2-1, duke mos arritur të ruajë vazhdimësinë e rezultateve pozitive.
Një tjetër element që bie në sy në bilancin e Lazslos është ndarja e rezultateve mes ndeshjeve në shtëpi dhe atyre në transfertë. Në dy takimet e zhvilluara në “Loro Boriçi”, Vllaznia ka marrë po aq fitore, ndaj Dinamos dhe Tiranës. Ndërkohë, në dy transfertat kundër Egnatias dhe Vorës, skuadra shkodrane është larguar pa pikë, duke treguar se ka ende vështirësi për të konfirmuar vlerat e saj jashtë Shkodrës.
Edhe statistikat e golave flasin për një bilanc të barabartë. Në katër ndeshjet e para nën drejtimin e trajnerit hungarez, kuqeblutë kanë shënuar pesë gola dhe kanë pësuar po pesë. Një shifër që tregon se skuadra ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës, por njëkohësisht ka ende hapësira për përmirësim në fazën mbrojtëse, sidomos në përballjet larg fushës së saj.
Megjithatë, përtej luhatjeve në rezultate, te Vllaznia duket se ka një rritje graduale sa i përket nivelit të lojës. Skuadra ka dhënë sinjale pozitive në disa prej ndeshjeve të fundit, ndërsa puna e Lazslos synon të sjellë më shumë organizim dhe vazhdimësi në paraqitje. Tashmë, sfida e trajnerit hungarez është që këtë përmirësim në fushë ta kthejë edhe në pikë, pasi vetëm loja e mirë nuk mjafton për të përmbushur objektivat e sezonit.
Pavarësisht nisjes me ulje-ngritje, gara mbetet ende e hapur dhe Vllaznia ka mundësi të rikuperojë terrenin e humbur. Vendi i gjashtë në renditje, që përbën pozicionin e fundit për të mbajtur gjallë garën për një biletë në kupat e Europës, është vetëm tri pikë larg. Një diferencë e tillë e mban skuadrën shkodrane në lojë, por njëkohësisht e bën të domosdoshme marrjen e rezultateve pozitive në vazhdim, në mënyrë që puna e Lazslos të reflektohet sa më shpejt edhe në klasifikim.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


