Kur flasim për futbollin, aktorët e tij nuk janë vetëm futbollistët dhe trajnerët. Janë edhe arbitrat, një kategori njerëzish që jo pak raste bëhen protagonist me vendimet e tyre, të drejta apo jo. Në Shkodër në fakt kemi patur disa arbitra të cilët kanë lënë gjurmë.
Po të përmendim janë disa, duke nisur nga Luigj Shala I hershëm, Qazim Dervishi, e për të vazhduar me Bakir Dibrën, Tahir Kalacin e për të vazhduar me një nga emrat më të shquar të arbitrimit të viteve ’70-’80, Tefë Prelën.
Për të nuk është shkruar e folur shumë. Ndoshta ngaqë prej vitit 1996 ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por në fakt, edhe atje ka lënë kujtimet e tij, madje në këtë vend ka marrë edhe stemën e munguar të arbitrit ndërkombëtar, atë që s’e mori dot në vendin e tij.
Për Tefën dita e sotme është e veçantë sepse feston 81 vjetorin e lindjes dhe me kete rast, në emër të gazetës “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
PO KUSH ËSHTË TEFË PRELA?
Ka lindur në Shkodër më 17 maj 1942 në një familje intelektuale. Si I tillë, kuptohet që prioritet për të do të ishte arsimimi teksa vazhdon edhe studimet e larta, në degën e gjuhëve të huaja, për rusisht.
Pas përfundimit të shkollës, nis punën si mësues të cilën e vazhdon për 32 vite me rradhë, fillimisht në Koplik, për të vazhduar më pas në disa fshatra të Shkodrës e po ashtu edhe në shkolla të këtij qyteti.
Krahas arsimimit, do të merrej edhe me arbitrimin, pasion që nisi rastësisht tek ai, por që falë tij u bë I njohur në mbarë Shqipërinë por edhe jashtë saj.
SI U BË ARBITËR?
“Babai im- Tonin Prela, kishte mbaruar shkollën e lartë në Itali, në degën e shkencave ekonomike dhe tregtare, pikërisht në Trieste. Gjatë qëndrimit në këtë vend, ka patur fatin të ndjekë si tifoz nga shkallët e stadiumit kampionatet botërore të viteve 1934 dhe 1938. Po ashtu, kishte krijuar miqësi me emra të tillë si Meaxa, Piola etj por edhe me shokun e fëmijërisë Loro Boriçin, kur ai luante tek Lazio, me Naim Kryeziun etj.
Takohej shpesh në kafene me ish-trajnerin e Italisë Valkareggion e famshëëm dhe po ashtu, baba ishte tifoz I zjartë I Interit dhe këtë gjë e kaloi edhe tek unë. Prej tij më lindi dëshira me ndjek futbollin dhe mbaj mend që kam pa në fushën e vjetër të sportit në Shkodër ndeshjen me Spartakun e Moskës.
Meqë po flasim edhe për baben tem, dua t’u them se ai ka mbajt skedinën e kampionatit Italian rregullisht deri në vitin 1990, pra për 40 vjet me rradhë. Baba jem ishte mësues në shkollën “7 Nëntori”. Bashkë me të ishte mësues edhe I mirënjohuri Tahir Kalaci.
Një ditë ky I fundit, I tha se do të hapte një kurs për arbitrat e rinj dhe I shprehu dëshirën që pjesmarrës në të, të isha edhe unë. Sapo baba erdhi në shtëpi, ma tha këtë gjë dhe unë nuk thashë as “po” por as edhe “jo”. Meqë isha I lirshëm pa ndonjë angazhim të madh, kjo ide më ngacmoi.
I kërkova që të merrte nga profesor Tahiri një rregullore futbolli njëherë. Ma solli të nesërmen në shtëpi dhe unë për disa ditë I bana një konspekt. Pashë që gjithçka ishte e kuptueshme për mua dhe në fund pranova të bëhem arbitër. Ky ka qenë fillimi dhe arsyeja pse u bana arbitër. Ka qenë viti 1969 kur nisi gjithçka për mua në këtë drejtim”- thotë Tefa në fillim të prononcimit të tij për gazetën “Shkodra Sport”.
KARRIERA SI ARBITËR
Ndjek kursin fillimisht, më pas nis të arbitrojë ndeshje fëmijësh, në kategori të ulëta, kryesisht në të tretën dhe në ndonjë ndeshje asistent në të dytën.
Për 2-3 vite ka vazhduar kështu. “Pas njëfarë periudhe, në një ndeshje, dy vëzhgues nga Tirana, më kishin vëzhguar me kujdes dhe evidentuar dhe filluan të më japin ndonjë ndeshje në kategorinë e dytë. Derisa në vitin 1972, I ndjeri Bakir Dibra më merr për herë të parë asistent në kategorinë e parë.
Ka qenë ndeshja Dinamo- SKënderbeu e luajtur në stadiumin “Qemal Stafa”, e mbaj mend si sot atë ditë që do të mbetet gjatë në kujtesën time sepse më dhuroi shumë emocione”-vazhdon prononcimin e tij ish- arbitri I njohur. Pas atij viti, Bakir Dibra ka lënë arbitrimin dhe në skenë do të dilte një tjetër arbitër I njohur shkodran- Tahir Kalaci.
Me të, Tefa ka arbitruar rregullisht në kategorinë e parë. Madje në mars të vitit 1975 kanë arbitruar finalen e Kupës së Shqipërisë në mes Lokomotivës dhe Labinotit. Tahir Kalaci ka qenë kryesor ndërsa Adem Halili dhe Tefë Prela asistentë.
Një arbitrim I shkëlqyer që mori edhe vlerësimet përkatëse nga Federata. “Pas kësaj finaleje, emri im u propozua në FSHF si kryesor. Megjithatë për të mbërritur deri te ndeshja e parë si kryesor, do të kalonin edhe dy vite të tjera. Ka qenë viti 1977 kur në stadiumin “Dinamo” kam arbitruar ndeshjen Partizani- Besa.
Ndeshja e fundit ndërkohë ka qenë në vitin 1991. Në skenë po dilte një arbitër I ri shkodran, Alfred Pavaci. Ai më kërkoi që ta ndihmoja në debutimin e tij dhe më kërkoi si asisten. Pranova me kënaqësi dhe kjo ishte ndeshja e fundit e imja si arbitër në Shqipëri. 14 vjet karrierë në kategorinë e parë me rreth 170 ndeshje (në total 400 ndeshje), besoj se është një arritje për çdo arbitër.
Përpos kësaj, kam arbitruar në pesë finale të Kupës së Republikës ai asistent. Kam arbituar në disa ndeshje ndërkombëtare të luajtura në Shqipëri, ato të kupës Ballkanike Vllaznia- Gençlerbirligi, Vllaznia- Panathinaikos dhe Vllaznia- Gloria. Po ashtu, kam qenë si arbitër I katërt në ndeshjen e famshme të Shpresa të Shqipërisë me ato të RFGJ-së në vitin 1983 ku kam takuar të famshin Bekembauer si dhe arbitrin e finales së Botërori 1982, Sergio Gonela.
Jam I lumtur me atë çfarë kam arritur sepse renditesha në pesë arbitrat më të mirë të Shqipërisë në ato vite dhe ndër tre më të mirët e rretheve, bashkë me Dhori Priftin nga Korça dhe Arsen Hoxhën nga Fieri. Kam arbitruar edhe dy herë jashtë vendit, më 1988 në një ndeshje të Kupave të Kupave në Turqi bashkë me Besnik Kaimin dhe Hiqmet Kukën dhe po ashtu më 1990 edhe në San Marino ndeshjen San Marino- Austria bashkë me Besnik Kaimin dhe Prek Pjetrushin”- thotë Tefa.
NDESHJET MË TË MIRA
“Mund të veçoj një ndeshje Partizani- Flamurtari të vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës së Republikës. Ishte një terren I vështirë, luhej në baltë dhe pati një luftë të ashpër sportive ku unë akordova 8 kartona, nga të cilat 4 të kuq. Atë ndeshje e fitoi Flamurtari 1-0. Po ashtu mbaj mend edhe një ndeshje Cërriku- Bilishti e vlefshme për kategorinë e tretë.
Asnjë arbitër nuk shkonte për ta drejtuar. Federata ra në hall dhe në fund ditën e premte më caktuan mua. Fusha ishte e rrethuar me qenj kufiri sepse nuk kishte rrethim dhe nuk kishte mënyrë tjetër për të ndalur tifozët. Gjithçka shkoi mirë dhe arbitrimi u pëlqye nga të gjithë. Për këtë arsye, Federata më akordoi edhe një shpërblim.
ARBITRIMI NË AMERIKË
U largua nga Shqipëria në vitin 1996 drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atje vetë ai nuk e mendonte se do të merrej me arbitrim edhe atje. Por rastisi që të njihte një arbitër I cili rezultoi të ishte kryetar I kolegjiumit të arbitrave të Nju- Jorkut. “Më kërkoi dokumentet sepse nuk më besoi se kisha patur atë karrierë në Shqipëri.
Kur u bind për to, më kërkoi një test në fushë por më mjaftuan 10 minuta dhe ai u bind për vlerat e mia. Fillova të arbitroj dhe brenda 5-6 muajsh më erdhi stema e arbitrit ndërkombëtar me të cilin mund të arbitroja në shtetet e Nju- Jorkut dhe dy shteteve të tjera të Amerikës. E vazhdova këtë punë për tre vite rresht, në vitet 1996, 1997 dhe 1998”- thotë ish- arbitri Prela.
TEFË PRELA ARBITRI I PENALLTIVE?!
Në opinionin sportiv shqiptar Tefë Prela u etiketua si “arbitri I penalltive”. Kjo ngaqë ai nuk hezitonte në asnjë moment të tregonte gishtin nga pika e bardhë. “Arbitri I mirë dallohet për vendimet e rëndësishme që merr gjatë lojës. Dhe të akordosh faulla në mesfushë, askujt nuk I bën përshtypje.
Por nëse jep penallti, padyshim që bëhesh protagonist. Duke qenë dashamirës I futbollit Italian, kisha kuptuar rëndësinë e vendimeve të tilla, prandaj gjithmonë kur kisha bindjen se ishte penallti, unë e akordoja pa asnjë hezitim. Madje, më ka rastisur të jap edhe 4 të tilla brenda një ndeshje”- kujton Tefa.
Në fakt për këtë të fundit ka një histori shumë interesante. Ka ndodhur në një ndeshje Skënderbeu- Naftëtari. “Kishte shumë tension në atë ndeshje. Në pjesën e parë unë akordova dy penallti për korçarët, të cilat ishin, nga të cilat njëra u realizua dhe tjetra jo. Në fund të pjesës së parë, trajneri I Naftëtarit mu afrua dhe më tha se po arbitroja në favor të vendasve. I thashë, “e ke. gabim”.
Dhe në fakt ashtu ndodhi. Në pjesën e dytë akordova një penallti për Naftëtarin dhe rezultati u ngushtua në 2-1 për vendasit. U duk se ndeshja do të mbyllej kështu por në minutën e 91-të pati një pengim në zonën korçare dhe unë sërish akordova penallti. Llogarite çfarë do të thotë të akordosh një penallti në shtesë për kundërshtarin në fushën vendase.
Për më tepër ndaj Skënderbeut, skuadrës së qytetit të Korçës, ku unë isha dhëndërr. Tregova pikën e bardhë dhe futbollistët korçarë protestuan. Mbaj mend të madhin Jani Kaçi që mu afrua dhe më tha: “Si e bëre këtë, si do t’I dalësh përballë vjehrrit?”. Vjehrri im në fakt ishte në shkallët e stadiumit duke ndjekur ndeshjen sepse ai ishte portieri I famshëm I korçarëve Klani Manjani.
Por fjalët e Kaçit nuk më topitën. Isha I vendosur në vendimin tim. Por këtu fillonte problemi. Tek skuadra e Naftëtarit askush nuk e merrte përsipër ekzekutimin e penalltisë nisur nga rëndësia e madhe që kishte ajo. U afrova tek pankina dhe I thashë trajnerit të zgjidhte një lojtar.
Ai I pa të gjithë, por vendosi gishtin tek një lojtar që nuk ishte nga Kuçova, ishte pikërisht nga Malësia e Madhe, futbollisti Besnik Duli. Ai e gjuajti, por topi goditi shtyllën dhe përfundoi jashtë. Ndeshja përfundoi 2-1 për korçarët. Trajneri I Naftëtarit, ai që më kishte kritikuar në fund të pjesës së parë, mu afrua dhe më tha: “Tani të njoha se kush je Tefë Prela!”.
ASISTENTËT
Për një arbitër kryesor, natyrisht që kanë shumë rëndësi edhe asistentët sepse bashkëpunimi me to vlen shumë. Edhe Tefë Prela vlerëson shumë ata me të cilët ka punuar. “Unë falenderoj të gjithë asistentët me të cilët kam punuar.
Duke filluar nga Adem Halili, Mhill Shkëmbi shumë I ndershëm dhe shumë I drejtë, me të ndjerin Gëzim Voti, me profesor Genc Agollin, Firdus Nehanin dhe pa lënë mënjanë dhe vëllain tim, të ndjerin Leonard Prela I cili e nisi në mënyrë të shkëlqyer karrierën por sëmundja që I nisi herët, nuk e la ta çonte atë deri në fund”- thotë Tefa.
“S’JAM PENDUAR QË JAM BËRË ARBITËR”
“Nuk jam penduar asnjëherë që jam bërë arbitër. Kjo sepse më ka bërë më popullor e të njohur për publikun. Për koinçidencë, edhe në Amerikë punën që kam tani e kam gjetur përmes njohjeve që krijova nga arbitrimi. Prandaj dhe thashë që nuk jam penduar se zgjodha të bëhem arbitër. Për më tepër që nuk kam patur asnjë rast dhune dhe përpos kësaj, asnjë qytet nuk më ka kontestu. Për të gjitha këto jam ndier gjithmonë mirë dhe I vlerësuar”- thotë Tefë Prela.
PERSEKUTIMI PËR STEMËN NDËRKOMBËTARE
Ndonëse konsiderohej një ndër pesë arbitrat më të mirë të Shqipërisë në vitet ’80, Tefë Prelës asnjëherë nuk u propua për të marrë stemën e arbitrit ndërkombëtar. Vetë ai mendon se çdo gjë këtu ka qenë politike. “E di që më kanë propozuar për ndërkombëtar por biografia ime më pengonte. Një dajë I imi, Simon Daragjati, ka vdekur në hetuesi në vitet pas Çlirimit të vendit.
Kjo gjë më përndoqi dhe vërtetë nuk më pengoi krejtësisht ngaqë nuk ishte dënuar ngaqë nuk arriti të dilte në gjyq, por gjithsesi ishte “tradhëtar”. Pa harruar edhe faktin tjetër se babai im vinte nga një familje tregtare dhe nuk shikoheshim me sy të mirë. Por jo vetëm që stema e ndërkombëtarit nuk mu dha asnjëherë, por edhe për të dalë jashtë shtetit, u desh shumë kohë e mund.
Në vitin 1986 më thërrasin për të shkuar në Turqi për të drejtuar një ndeshje të Kupës Ballkanike, por ma anulluan. Pas një viti sërish e njëjta gjë. Do shkoja në Rumani për të arbitruar një tjetër ndeshje. Do isha bashkë me Plarent Kotheren dhe Besnik Kaimin.
Madje Federata eksperimentoi me këtë treshe duke na dhënë një ndeshje, Lokomotiva- Besa dhe me altoporlantët e stadiumit bëhej e ditur se këta arbitra dy ditë më vonë do niseshin për në Rumani për të drejtuar një ndeshje ndërkombëtare.
Dy ditë më vonë, u nisa nga Shkodra drejt Tiranës për t’u nisur për në Rumani por kur shkoj atje, më del dikush përpara dhe më thotë se “ka ardhë urdhëri që ti të mos shkosh atje sepse dikush nga Shkodra ka shkruar një letër anonime për ty”. Nuk kishte hall më të madh. I turpëruar u ktheva në Shkodër dhe të gjithë u çuditën kur më panë. Por ky ishte realiteti.
Mu desh gati një vit që të ndiqja të gjithë institucionet dhe zyrat për të kuptuar atë çfarë ishte shkruar për mua ne ate leter anonime dhe në fund, mu dha e drejta për të dalë jashtë vendit. Ndodhi në vitin 1988 kur shkova në Turqi dhe dy vjet më vonë dhe në San Marino, dy udhëtimet e vetme të miat jashtë vendit. Por nëse stemën nuk ma dhanë në Shqipëri, ma dhanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për këtë arsye, ndjehem paksa I lehtësuar”- shpjegon Tefa.
VLERËSIMET
Bashkia Shkodër një vit më parë I ka akorduar atij titullin “Mirënjohja e Qytetit”, një vlerësim mëse I merituar për një personalitet të tillë të arbitrimit shqiptar. Po ashtu, është nderuar edhe me çmimin “Luigj Shala”.
KA THËNË PËR TË:
Besnik Dizdari: “Mesa duket në vitet ’70 gjykimit shqiptar I kishte ardhur një universitar, që mbasi linte mënjanë librat e mësuesisë, shfaqej në fushat e futbollit. Atbotë kjo ka qenë një përjashtim. Ka qenë ndoshta arbitri më I ndershëm I periudhës.
Ai mund të gabonte, po vendimet e tij kishin një “rreptësi” të mirë nëse mund të përcaktohet kësisoji, çka tregon asnjanësinë e tij të rrallë. Gjithnjë pranë aksionit, I rreptë në ruajtjen e etikës së lojës, intelektuali ynë zë shpejt vend në elitën e gjyqtarëve”.
Gjergj KOLA