Zyra Rajonale e FSHF-së Shkodër ka bërë bilancin për edicionin 2019/20 duke vënë në dukje të gjitha risitë e edicionit, problematikat si dhe objektivat e arritura. Vetë përgjegjësi i kësaj zyre, Hysen Zmijani pranon në intervistën e dhënë për fshf.org se janë regjistruar për këtë vit 10 ekipe më shumë se një vit më parë dhe ka pasur një numër më të lartë të ekipeve të vajzave.

Problematikë kryesore vijon e mbetet infrastruktura, e cila shpesh bën të pamundur edhe zhvillimin e stërvitjeve apo të ndeshjeve. Ndërkohë që një ndër objektivat kryesorë të këtij sezoni është ndarja e kampionateve mes djemve dhe vajzave.

– Cilat janë risitë e edicionit që lamë pas në kampionatin rajonal amator të Zyrës Rajonale Shkodër?

Sigurisht, Zyra Rajonale e FSHF-së Shkodër është fokusuar në arritjen e objektivave të vëna në fillim të edicionit, që janë masivizimi i futbollit dhe shtimi i numrit të fëmijëve, qoftë djemve apo vajzave, që aktivizohen me skuadra të organizuara. Po ashtu edhe evidentimi i talenteve të spikatura ka qenë në fokusin tonë dhe po i ndjekim me kujdes të gjitha ata elementë që premtojnë për të ardhmen.

Në këtë edicion kemi pasur edhe një ndarje në Zyrën Rajonale Shkodër pas rihapjes së Zyrës Rajonale FSHF Lezhë dhe një pjesë ekipesh dhe futbollistësh janë transferuar atje. Gjithashtu, dua të evidentoj edhe një problematikë që kemi hasur vazhdimisht që lidhet me emigrimin e familjeve shqiptarë e që jo pak herë na ka penalizuar duke na hequr futbollistë premtues.

– Sipas jush, a u arritën objektivat, në aspektin e rritjes së pjesëmarrjes? Numri i pjesëmarrësve ka qenë i kënaqshëm krahasuar edhe me edicionin e shkuar?

Jemi të kënaqur me këtë edicion, pasi kemi pasur 10 ekipe më tepër se një vit më parë dhe diku te 180 fëmijë më shumë. Nga ana tjetër, kemi edhe rritje të numrit të ekipeve të vajzave. Ndërsa numri total i pjesëmarrësve në ligën amatore Shkodër janë 850-870, që në fakt variojnë sipas periudhave të ndryshme.

– A mund të na përmendni disa nga problematikat kryesore të këtij edicioni?

Problemi kryesor që vazhdojmë e kemi ne këtu në zonën e Shkodrës vazhdon të jetë mungesa e fushave ku fëmijët të stërviten normalisht. Këtu gjatë dimrit bëhet thuajse i pamundur, si realizimi i stërvitjeve, ashtu edhe ai i ndeshjeve për shkak të reshjeve të shiut, që na pengojnë në punën tonë. Në këtë qytet, futbolli jo vetëm dashurohet, por edhe jetohet dhe është vërtetë problem se si ka kaq pak investime nga institucionet shtetërore.

– Cilat janë risitë për edicionin e ardhshëm? Cilat janë synimet kryesore?

Si synim kryesor kemi që të shtojmë numrin e ekipeve të vajzave si dhe t’i ndajmë kampionatet: kampionatin e djemve dhe kampionatin e vajzave. Gjithashtu, synojmë që të krijojmë edhe ekipe për grupmoshën U-7. Trajnerët nga ana tjetër mendoj se duhet të heqin pak dorë nga etja për rezultate dhe të përqendrohen më shumë te cilësia e të vegjëlve dhe të rinjve, sesa te fituesi i ndeshjes.