Një nga protagonistët e ndeshjes së 26 prillit 1989 mes Shqipërisë dhe Anglisë në “Uembli” ka qenë edhe qendërmbrojtësi Hysen Zmijani. Besnik i Vllaznisë për vite me radhë dhe lojtar i ekipit kombëtar, ka sjellë për “Panorama Sport” edhe një herë ato kujtime nga transferta në Angli.

Çfarë ndjesie ka qenë për ju të luanit në “Uembli”?

“Uembli” është mitiku i Maradonës. Nëse është i atij, atëherë është i të gjithëve. Ishte një ëndërr e realizuar të luaje në stadiumin e qytetërimit të futbollit.

Mund të më jepni një përshtypje sa i përket ndeshjes?

Po them që kemi bërë një lojë mesatare, por jo të keqe. Duke luajtur për herë të parë në “Uembli” dhe kundër Anglisë jashtë shtëpie, normal që ishim inferiorë. Por për atë kohë, për atë Shqipëri, aq mundësi kishim. Ishte një futboll bio, pasi nuk luante askush me Napolin apo Lacion, siç luajnë tani futbollistët tanë. Në kohën tonë, dikush luante me Dinamon, Partizanin, Tiranën apo Vllazninë.

Çfarë lojtarësh kishte kombëtarja e Anglisë atë vit dhe cili dalloi në ndeshjen ndaj Shqipërisë?

Për mua më i forti ishte kundërshtari im, që unë duhet të markoja, Birdsli, pastaj ishte edhe Gaskoin, që po kalonte formën më të mirë të karrierës dhe ishte një ndër talentet e asaj kohe. Edhe Robson, që ishte kapiteni i tyre. Janë shumë emra të mëdhenj që kanë luajtur atë ndeshje./panorama- sport/