Napoli i Antonio Conte-s po përgatitet të presë Venezian në stadiumin “Maradona” për javën e 18-të të Serisë A, duke qenë i vetëdijshëm se duhet të performojë më mirë se sa bëri në pjesën e dytë kundër Genoa-s, në “Marassi”. Pjesa e dytë e ndeshjes nga skuadra e kaltër, në fakt, nuk u pëlqeu as tifozëve dhe as trajnerit, i cili qortoi lojtarët e tij dhe, në konferencën për shtyp në prag të sfidës kundër lagunarëve, e theksoi këtë:
“Ndeshja duhet analizuar gjithmonë e tëra. Kemi analizuar të gjitha 95 minutat kundër Genoa-s. Pjesën e dytë e marrim si një pikënisje për të vazhduar përmirësimin. Ka tashmë dëshirë për të përmirësuar, por të kesh pika reflektimi e bën edhe më të lehtë ngritjen e nivelit.”
Napoli, që aktualisht mban vendin e dytë me dy pikë më pak se Atalanta dhe vetëm një pikë më shumë se Interi, i cili ka një ndeshje më pak për të zhvilluar, mbetet ambicioz. I pyetur nëse do të pranonte të siguronte një vend mes katër të parave në fund të sezonit, Conte u përgjigj:
“Mua nuk më pëlqen të pranoj objektiva minimalë, ata që më njohin e dinë këtë. E dimë cilat janë synimet tona, por kurrë nuk do të pranoja një objektiv minimal. E dimë çfarë po bëjmë, kemi bërë 38 pikë, që janë shumë, dhe është e pashmangshme që duam të vazhdojmë të përmirësohemi, duke punuar me pasion dhe përkushtim. Po bëhen gjëra pozitive, por pa dyshim mund të përmirësohemi.
Duam të mbyllim vitin mirë për të festuar mirë ditën e parë të vitit të ri. Këto muaj kanë qenë shumë intensivë, të jetuar me intensitet të lartë. Ambienti këtu është i mrekullueshëm, plot pasion. Të trajnoj një qytet si Napoli të jep shumë, por është një qytet shumë, shumë kërkues në aspekte të ndryshme. Jam i kënaqur,” tha Conte.
Trajneri shtoi më tej:
“Objektivi, imi dhe i djemve, do të jetë të mos kemi asnjë keqardhje. Qoftë kur fitojmë, qoftë kur humbasim, duhet të dalim nga fusha me ndjesinë se kemi dhënë gjithçka dhe nuk kemi lënë asgjë pas dore. Duhet të japim gjithçka.”