Ka bërë boks për disa vite në Shqipëri, më pas ka kaluar në boksin profesionist në Gjermani, vend ku tashmë prej disa vitesh punon edhe si trajner, pikërisht tek Herta e Berlinit. E kemi fjalën për shkodranin Artur Drinaj, ish-boksierin e njohur shkodran qe pikerisht sot feston 47 vjetorin e tij te lindjes (datelindja 23 qershor 1973).

Në një prononcim për “Shkodra Sport” ish- kampioni i njohur i boksit kujton momente nga karriera e tij dhe disa detaje të tij si sportist.

“Fakti që jam marrë me mundje në rini, më ka ndihmuar shumë në boks dhe përpos kësaj kam patur një goditje të fortë. Përpos kësaj, fakti që arma ime më e fortë ka qenë goditja me të majtën ngaqë isha “Sallaks”, më bënte disi të veçantë. Unë jam krenar për atë çfarë kam dhënë për boksin shkodran, për Vllazninë dhe kombëtaren shqiptare. Besoj se tifozët janë kënaqur me ndeshjet e mia dhe kjo më ka bërë gjithmonë të ndihem mirë”- ka thënë Drinaj.

I pyetur ndërkohë se çfarë ka qenë Vllaznia për të, ai do të shtonte: “Vllaznia ka qenë gjithçka për mua. Në ato vite kur kam bërë boks në Shqipëri, dua të them se ekipi i Gardës, “Shqiponja” që ishte rivali kryesor i ekipit shkodran, më ka ofruar një kontratë shumë herë më të mirë nga ajo që kisha në Shkodër, por e kam refuzuar sepse doja të bëja boks vetëm për Vllazninë.

Nuk mund ta ndërroja atë me asnjë ekip tjetër sepse Vllaznia ishte pjesë e zemrës teme dhe nuk mund të largohesha kurrsesi prej saj. Nuk mund t’i ktheja shpinën dhe të largohesha për te Shqiponja, Durrësi, Vlora apo ndonjë ekip tjetër sepse nëse do të veproja kështu, më ishte thyer zemra jeme”

Jam shpallur 5 herë kampion me Vllazninë dhe kam fituar 5 Kupa të Republikës me të dhe kuptohet që numri i trofeve mund të kishte qenë edhe më i madh nëse nuk do të largohesha drejt Gjermanisë për t’iu përkushtuar boksit profesionist.

Unë dua të përshëndes tifozët e mrekullueshëm shkodranë dhe ndoshta dua t’u them se jam në borxh me to. Them kështu, sepse nuk e di sa i kam kënaqur ngaqë ata kanë qenë gjithnjë pranë nesh dhe jo vetëm në Shkodër por në të gjithë qytetet e Shqipërisë dhe jo vetëm 20-30 vetë, por me qindra”.
Gjergj KOLA