Sikur të mos mjaftonte bojkoti i stërvitjes për disa ditë dhe humbja e mundësive për të kapur ritimin, tek Vllaznia ka edhe probleme të tjera që shqetësojnë stafin teknik.

Kështu, tre futbollistët maqedonas vijojnë të jenë në vendin e tyre. Bëhet fjalë për portierin Efremov, mbrojtësin Adili dhe sulmuesin Hristov. Në mungesë të lejes së qëndrimit (kanë vetëm lejen e punës aktualisht në vendin tonë), ato nuk janë lejuar të kalojnë kufirin shqiptar.

Por jo vetëm kaq. Dy titullarë të tjerë të ekipit, pikërisht kapiteni Lika dhe sulmuesi moldav Sidorenco nuk janë stërvitur me grupin gjatë këtyre ditëve. Ata kanë ndjerë disa shqetësime muskulare gjatë këtyre ditëve dhe për këtë arsye, stafi teknik u ja rekomanduar një stërvitje të lehtë.

Në këto rrethana, me ekipin janë stërvitur vetëm 20 futbollistë dhe duke qenë se pritet që rifillimi i kampionatit të shoqërohet me të tjera probleme dëmtimesh, kuptohet që situata tek Vllaznia nuk është ajo më e mira.
© shkodrasport.com