Prej një viti e gjysëm luan në Francë, vend ku është spostuar bashkë me familjen e saj. Ish-futbollistja e Vllaznisë dhe e kombëtares shqiptare aktualisht luan në kategorinë e dytë të këtij vendi por menjëherë aty ka rënë në sy dhe në merkaton e kësaj vere me shumë mundësi do ta shohim në Superligën e futbollit të femrave të këtij vendi europian.

Lajmin e ka bërë të ditur për “Shkodra Sport” vetë futbollistja e njohur e cila është shprehur: “Besoj se shumë shpejt mund të ketë ndonjë suprzië për karrierën time. Mund të ndërroj ekip dhe kjo mund të ndodhë që këtë verë, por t’ia lëmë kohës. Po zbuloj faktin se mund të jem pjesë e Superligës franceze”.

Ky padyshim që do të ishte një lajm i mirë ndërkohë që futbollistja e cila muajin tjetër mbush 21 vjeç pret që me këtë lëvizje, të kapë sërish kombëtaren shqiptare që sipas Mujës, është ëndrra e secilit.

Ndërkohë duke i kërkuar një mendim në lidhje me nivelin e kampionatit shqiptar të futbollit të femrave me atë të Francës, futbollistja shkodrane do të shprehej: “Këtu në Francë niveli është më i lartë se në Shqipëri, por mund të them se Vllaznia me atë çka ka paraqitur këto vitet e fundit, mund të matet si e barabartë me shumë prej skuadrave të Superligës së këtij vendi”.

E pyetur për emocionet që ka kaluar tek Vllaznia në vitet që ka luajtur me të, Uendi do të shtonte: “Kam përjetuar emocione të shumta, kam fituar shumë trofe, kam shënuar shumë gola dhe kjo më ka bërë shumë të lumtur. I vetmi moment që jam ndjerë keq, ka qenë ai i sezonit të kaluar kur Vllaznia arriti suksesin historik, kalimin në turin e dytë të Champions League, megjithatë i kam uruar sukseseve shoqeve të ekipit, trajnerëve dhe drejtuesve që janë të mrekullueshëm”.
© shkodrasport.com