Pas aktivitetit kushtuar Arben Mllojës, në Shkodër javën e ardhshme do të zhvillohet një tjetër aktivitet për të nderuar një nga figurat e njohura të atletikës shkodrane dhe asaj shqiptare, pikërisht trajnerin e njohur Gëzim Mema. Aktiviteti është programuar për t’u zhvilluar të premten e ardhshme, pra me datë 4 korrik.
Ai do të zhvillohet në pistën e stadiumit “Loro Boriçi” dhe ka për organizatorë Shoqatën e Atletikës Vllaznia, Federatën Shqiptare të Atletikës dhe Bashkinë Shkodër dhe emërtohet: Kupa e Ikonave “Gëzim Mema”.
Në program janë për t’u zhvilluar garat e 100 metrave për femra e meshkuj, po ashtu 200 e 400 metra si për femra edhe për meshkuj, si dhe garat e kërcimit së gjati, trehapësh dhe stafeta 4×100 metra për meshkuj.
Në këtë aktivitet në nderim të Gëzim Memës janë të ftuar të marrin pjesë të gjithë sportistët dhe klubet e interesuara sepse përpos garave, pjesmarrja e tyre do të jetë edhe një nderim- homazh për personazhin në nderim të të cilit zhvillohet kjo Kupë.(www.shkodrasport.com)