“Nuk do të krahasohesha kurrë me Messin, ai është më i miri i të gjitha kohërave. Duhet të falënderoj Xavin, ai na e dha ne të rinjve mundësinë për të luajtur te Barcelona. Pa të kjo nuk do të kishte ndodhur”.
Në këto deklarata të Lamine Yamal, pas golit të jashtëzakonshëm që mbylli kampionatin dhe i solli titullin e dytë të La Liga-s në karrierë, në moshën 17-vjeçare, po aq sa ka fituar Cristiano Ronaldo në gjithë karrierën te Real Madridi, fshihet ndoshta madhështia e vërtetë e këtij fëmije mrekulli të Barcelonës: përulësia.
Imagjinoni veten në moshën 17-vjeçare. Tani imagjinoni të jeni në qendër të vëmendjes botërore. Ai jo vetëm që e përballon këtë presion, por edhe vazhdon të fitojë trofe e të dhurojë magji, duke thënë se “është e pamundur të lodhesh duke fituar” dhe duke premtuar për tifozët e Barçës: “Ky është vetëm fillimi”.
Duke pasur parasysh moshën, qartësisht rruga e tij në futboll është ende e gjatë. Sidoqoftë, 5 trofetë e fituar dhe mbi 100 paraqitje me Barcelonën e bëjnë lojtar tashmë të pjekur, ndoshta më të mirin aktualisht në botë.
Eliminimi në Champions nga Interi ndoshta do ta lërë jashtë listës finale për “Topin e Artë” 2025, por në Spanjë, në media dhe rrjetet sociale, ka nisur një fushatë e vërtetë: “Jepjani ‘Topin e Artë’, sepse e meriton!”
Statistikat e sezonit të Yamal:
17 gola
25 asistime
3 trofe të fituar: La Liga, Kupa e Mbretit dhe Superkupa e Spanjës
Më shumë se numrat, ajo që mahnit është lehtësia me të cilën shpërthen talenti i tij i pakufishëm, duke bërë gjëra që në Barcelonë i kishin parë vetëm nga Messi. Edhe pse vetë Yamal e shmang krahasimin, është e pamundur të mos e krahasosh me “Pleshtin”. Ndryshimi është që në këtë moshë, Messi nuk ishte aq vendimtar sa Yamal sot.
Spanja është në këmbët e tij, bota po e adhuron. Nëse nuk e fiton këtë vit ‘Topin e Artë’, me siguri do ta përmirësojë vendin e 8-të të edicionit të kaluar në këtë çmim prestigjioz. Fitimi i tij është vetëm çështje kohe, siç na kujton vetë: “Ky është vetëm fillimi”.
Deri atëherë, le të rehatohemi dhe të shijojmë spektaklin. Pas epokës ‘Messi-CR7’, ka nisur epoka ‘Yamal’.
JA TË GJITHA REKORDET E LAMINE YAMAL:
Futbollisti më i ri që ka debutuar me Barcelonën (15 vjeç e 290 ditë)
Futbollisti më i ri që ka luajtur me Barcelonën B (15 vjeç e 297 ditë)
Më i riu që ka fituar La Liga-n (15 vjeç e 305 ditë)
Më i riu titullar te Barcelona dhe La Liga (16 vjeç e 38 ditë)
Më i riu që ka debutuar dhe ka shënuar me Spanjën (16 vjeç e 57 ditë)
Më i riu titullar në Champions League (16 vjeç e 83 ditë)
Më i riu që ka shënuar për Barcelonën dhe në La Liga (16 vjeç e 87 ditë)
Më i riu që ka luajtur dhe qenë titullar në një Kampionat Europian (16 vjeç e 338 ditë)
Më i riu që ka shënuar në një Kampionat Europian (16 vjeç e 362 ditë)
Më i riu që ka luajtur në një finale të Kampionatit Europianit (17 vjeç e 1 ditë)
Më i riu që ka fituar një Kampionat Europian (17 vjeç e 1 ditë)
Më i riu që ka shënuar në ‘El Clásico’ (17 vjeç e 106 ditë)
Më i riu që ka arritur 100 paraqitje me Barcelonën (17 vjeç e 291 ditë)
Më i riu që ka shënuar në një gjysmëfinale të Champions League (17 vjeç e 291 ditë)