Speciale nga UVIL ZAJMI

Shkak për të risjellë një histori unike të regjistruar në futbollin shqiptar ishte ndeshja Fraiburg-Bajern, 1-3, e vlefshme për javën e 28-të të Bundesligës. Në minutën e 84-t, pas kryerjes së zëvendësimeve dhe gabimit të zyrtarëve bavarezë, arbitrave, teknologjisë, ndërsa loja rifilloi e vazhdoi për rreth 20 sekonda, u konstatua se Bajerni ishte në fushë me 12 futbollistë.
bajern

Një rast i paprecedent, shoqëruar me polemika dhe pa fund diskutime. Një ngjarje jo e zakontë edhe për futbollin europian e atë botëror.

Por, edhe në Shqipëri ka një rast analog ndonëse me ndryshim rolesh: Ku skuadra fillon lojën pa portier dhe vazhdon kështu për rreth 1 minutë. Cilët ishin protagonistët e atij 90- minutëshi misterioz, kur nuk kishte ndodhur kurrë më parë një situatë e tillë që loja të niste pa portierin në portë? Një ngjarje që do të regjistrohej në “Loro Boriçi” në Shkodër, në ndeshjen Vllaznia-Bylisi, edicioni 2008-2009, me protagonistë nigerianin, portierin Emanuel Egbo, që sot nga Arabia Saudite ku punon e jeton, për “Panorama Sport” e risjell ngjarjen me detaje: “U ktheva të ndërroja këpucët. Arbitri shtangu kur më pa”.

Sokol Çekaj, ish-basketbollist, portier i Laçit, as 23 vjeç, u shfaq në elitën e arbitrimit, një i ri i talentuar, arbitër elegant, autoritar, kurajoz, ndonëse shumë i ri. Takimi me aktorin Pitkin (Norman Uisdom) në “Qemal Stafa”, vërshëllima e 23 penalltive të ekzekutuara në një finale për titullin kampion.

NGJARJA, INCIDENTI

Luhej java e 5-të e Superiores, 27 shtator 2008, në “Loro Boriçi”, Shkodër. Përballë njëra-tjetrës rreshtohen Vllaznia-Bylisi. Ndeshja nis në orën 16:00 dhe arbitrohej nga Sokol Çekaj. Pjesa e parë përfundon 1-0 për vendësit, me gol të Vioresin Sinanit në të 18’. Fillonte një shi i fortë, skuadrat ndodheshin në dhomat e zhveshjes, ndërsa përgatitet të nisë pjesa e dytë.

Moti u përkeqësua menjëherë. Një re e zezë mbuloi qytetin, pas së cilës papritur kishte vetëtima të shoqëruara me një rrebesh të madh. Sidoqoftë, arbitri Çekaj me dy asistentët u bën thirrje skuadrave të dalin në fushë dhe pasi futbollistët janë pozicionuar, ai vërshëllen për 45-minutat e dyta.

Topin e luajnë lojtarët miq, por askush nuk e ka konstatuar se te Bylisi mungon portieri Egbo. Loja ka vazhduar, por nga reagimi i publikut shkodran është kuptuar se diçka nuk funksionon. Ndërkohë, në vijën anësore, pikërisht aty ku ajo bashkohet me atë të mesfushës, papritur është shfaqur Egbo, portieri i Bylisit, i cili ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve, kur është parë duke bërë shenjë me dorë për t’u futur në lojë. As skuadrat, vetë futbollistët e Bylisit, drejtues e trajnerë, rezervat, vëzhgues e delegatë, duke përfshirë edhe arbitrat nuk e kanë evidentuar më parë një mungesë të tillë. Vetëm kur e kanë parë janë kujtuar.

Një stadium ka mbajtur frymën, befasi e madhe, Çekaj ka ndalur menjëherë lojën, duke i bërë me shenjë Egbosë të futet në fushë dhe loja do të rifillojë me rivënien e topit, ndonëse kishin kaluar plot 54 sekonda me një skuadër pa portierë në portë. Më pas, takimi do të vijonte normalisht dhe do të fitohej 1-0 nga Vllaznia.

POST-NDESHJA, REAGIMET

Më shumë ankime për arbitrimin pati nga ballshiotët, që përveç rastit të Egbosë pretendojnë edhe për dy momente të tjera: një gol të anuluar padrejtësisht sipas tyre, dhe një prekje e topit me dorë në zonë e pandëshkuar nga arbitri me penallti”. Pastaj episodi që nuk u kalua pa u komentuar, madje me reagime si një rast i paprecedent në futbollin shqiptar. Kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë dhe me protagonist një arbitër të njohur, të elitës, me eksperiencë, dhe me një portier të huaj me shumë përvojë.

Gazetat sportive do të mbushnin faqet e tyre me tituj shokues. “Gabim i pafalshëm i treshes së gjyqtarëve të ndeshjes”; “Bylisi, fajin ia lë gjykimit për humbjen”; “Pezullohen pa afat gjyqtarët e takimit”; “Gafë e madhe e arbitrave”, etj. Pastaj një deklaratë publike e Egbosë: “70 sekonda pa mua në portë. Gjyqtari u hutua fare kur më pa”. Ndërkohë, Federata e Futbollit e mbledhur të hënën për ta trajtuar rastin, motivet, pasojat dhe masat që duhen marrë, e ndëshkon treshen e arbitrave me 4 javë pezullim. Incidenti nuk konsiderohet gabim teknik dhe ndeshja nuk do të përsëritet.

SKEDA E NDESHJES

(27.09.2008) Vllaznia-Bylisi 1-0 (0-0)

GOLI: V. Sinani 18’

VLLAZNIA: Grima, Smajli, Bashiç, Belisha, Lici, Boadu, Nallbani, Dhëmbi (Osja ’60) Doçi (Shtubina ’82), Kaçi (Hoti ’75), Sinani.Trajner: Agim Canaj

BYLISI: Egbo, Driza, A. Muça (G. Muça 46’), Hodo, Kuci, E. Dalipi, Neves, Kule (Ujkani 72’), K. Dalipi, Bakiu (Stafa 46’) Kabore.Trajner: Hysen Dedja

GJYQTARË: S. Çekaj, A. Molla, F. Elezi, E. Hoxha

VËZHGUES: L. Konçi

DELEGAT. B. Çela

KARTONË TË VERDHË: Kuçi(2), E. Dalipi, Stafa

KARTON I KUQ: Kuçi