Beselidhja kampione ne fuqi e vendit ne basketboll per meshkuj, nuk ia ka dale ta nise edhe sezonin e ri me nje tjeter trofe. Kjo sepse ajo mbreme eshte mundur nga Tirana ne finalen e Kupes se Federates Shqiptare te Basketbollit dhe ne kete menyre kane qene bardheblute qe kane ngritur lart trofeun.

Me një ekip tërësisht shqiptar, kryeqytetasit e Erkand Karajit i befasuan kampionët falë grintës dhe karakterit që i karakterizon. Tirana e bëri diferencën kryesisht në finalizimet për 3 pikë, ndërsa spikatën Klein Strazimiri dhe kapiteni Red Volgi, të cilët treguan një shënjestër për tu admiruar në momentet më vendimtare të sfidës. 7 gjuajtje të sakta nga 11 tentativa për Strazimirin dhe dha 4 nga 4 për Voglin rezultuan fatale për Besëlidhjen. Nga ana tjetër, lezhjanët, pas sukseseve në dy edicionet e fundit në Kupën e FSHB-së, nuk arrijnë të përsëriten, ndërsa Tirana konfirmohet si një pengesë shumë e vështirë për ekipin e Afrim Bilalit në finale.

NDESHJA – Finalja e mbrëmshme në pallatin e sportit “Tomorr Sinani” ishte me rivalitet të lartë nga fillimi deri në fund, duke i argëtuar rreth 200 të pranishmit që e ndoqën nga afër. Tirana mori minimalisht 15-14 periodën e parë, ndërsa bëri më mirë edhe në çerekun e dytë, duke fituar 23-20, për të shkuar në pushimin e madh me epërsinë e përgjithshme 38-34. Kampionët u përmirësuan me rikthimin në parket, për ta fituar periodën e tretë 20-24, ndërsa pas 30 minutash rezultati në tabelë është në ekuilibër të plotë, 58-58. Perioda e katërt dhuron emocione, ndërsa Besëlidhja e shikon veten deri në 6 pikë avantazh në çastet e fundit, por në momentet më dramatike, Tirana reagon.

Kështu 10 minutëshi i katërt mbyllet 19-19 dhe koha e rregullt 77- 77. Në shtesë kryeqytetaset tregohen më të kthjellët dhe e menaxhojnë më mirë lojën, për të fituar 11-9, duke e vulosur të gjithë takimin 88-86. Një lojë mjaft e mirë grupi për Tiranën, me pesë lojtarë në dopioshifër pikësh, ku më të mirët ishin Strazimiri me 22 pikë dhe Vogli me 18. Për lezhjanët rendimentin më të lartë e kishte amerikani Joshua Angle me 23 pikë dhe 9 kërcime. Kështu beteja e parë sezonale për trofe mes Besëlidhjes dhe Tiranës shkon për bardheblutë, ndërsa këto ekipe do të matin forcat sërish edhe në finalen e Superkupës.