Berat Gjimshiti mbetet një nga pikat më të forta të Atalantës në mbrojtje dhe një nga shqiptarët më të suksesshëm në futbollin evropian.

Forma e tij e qëndrueshme dhe kontributi kyç në sukseset e skuadrës nga Bergamo nuk kanë kaluar pa u vënë re – këtë herë nga Lindja e Mesme.

Sipas burimeve pranë klubit, Al Rayyan nga Katari ka shfaqur interes konkret për 31-vjeçarin, duke kërkuar informacione të detajuara rreth kontratës dhe gjendjes së tij aktuale, teksa ka lënë të kuptohet se është gati të paraqesë një ofertë shumë të majme për ta transferuar.

Por Gjimshiti, i lindur në vitin 1993 dhe pjesë e pandashme e mbrojtjes së Atalantës që nga viti 2016, nuk është i tunduar nga aventura jashtë Evropës.

Ai ndihet mirë në Bergamo dhe është emocionalisht i lidhur me klubin, tifozët dhe ambientin. Suksesi në Serie A dhe pjesëmarrja në garat evropiane mbeten prioritetet e tij.

Gjithashtu, Atalanta nuk ka asnjë qëllim për ta lëshuar – pasi klubi e konsideron Gjimshitin si një lider të vërtetë në prapavijë, sidomos në periudhën e ristrukturimit dhe ndërtimit të një skuadre më të re për sezonin e ri.

Al Rayyan, që po ndërton një skuadër ambicioze me ish-yje evropianë, mund të orientohet drejt alternativave të tjera nëse kupton se Gjimshiti nuk e sheh të ardhmen e tij larg Bergamos. /Telegrafi/