ederata Shqiptare e Basketbollit, disa javë më parë ndërmori ndryshime të rëndësishme, duke nisur që nga formula e kampionatit, tashmë me një kategori të vetme, për të vijuar me rritjen e tarifave të regjistrimit të lojtarëve vendorë, deri te kufizimi në 3 për lojtarët e huaj në parket, si dhe duke e bërë Ligën Unike të detyrueshme për ekipet.
Por këto ndryshime të vendosura në Këshillin Drejtues të FSHB-së nuk janë pritur mirë nga të gjitha klubet. Pas Teutës, tashmë ka reaguar edhe Besëlidhja. Është sekretari i shoqatës që përfaqëson klubin lezhjan, Erion Lleshi, ai, i cili në një intervistë për “Panorama Sport”, tregon pozicionimin e Besëlidhjes. Ekipi nënkampion i Shqipërisë ka kontestime të mëdha për sa u përket vendimeve të KD-së, si dhe për injorimin që u është bërë shoqatave në marrjen e këtyre vendimeve, për të cilat lezhjanët thonë se janë bërë për të plotësuar dëshirat e disa drejtuesve që e shikojnë federatën si pronë private.
Si e gjykon klubi i Besëlidhjes ndryshimin e formulës për kampionatin?
Jemi dakord në përgjithësi me formatin e ri të kampionatit me të gjitha ekipet në një kategori, por mendojmë se shoqatat anëtare të FSHB-së, duhet të ishin mbledhur dhe pyetur me përpara, pasi kjo pikë nuk është diskutuar në Asamblenë e Përgjithshme në dhjetor të vitit 2022. Zakonisht ndryshimet në formatin e kampionatit diskutohen gjithmonë për sezonin pasardhës, jo për sezonin aktual, pasi kjo është e padrejtë për garën që u bë në sezonin e kaluar, ku disa ekipe kanë renë nga kategoria këtë sezon dhe disa ekipe kanë shpenzuar për të qëndruar në Superligë. Nuk jemi dakord me formatin e gjysmëfinaleve dhe finaleve të “play off”-it, me 5 dhe 7 ndeshje, pasi kjo do ta zgjaste shumë përfundimin e kampionatit.
Ndërkohë, gjithashtu janë rritur edhe tarifat e regjistrimit të lojtarëve…
Nuk jemi dakord me këtë vendim, pasi kjo gjë është në kundërshtim me Ligjin e Sporteve dhe çdo rregullore të FIBA-s. Për lojtarët me kontratë ose jo me kontratë, FSHB s’ka të drejtë ligjore të ndërhyjë dhe të bëhet palë në transfertat e basketbollistëve mes ekipeve, aq më tepër të bëjë ndarjen e lekëve, kaq për FSHB-në e kaq për ekipin. Marrëdhënia sportist-shoqatë është një marrëdhënie që bazohet në një kontratë pune ku përcaktohen të drejtat, detyrimet, sanksionet, pagesat dhe çdo detaj tjetër. Në rast të përfundimit të kontratës çdo lojtar ka të drejtë të transferohet me tarifë 0. FSHB nuk mund të përcaktojë ndarjen e tarifave 40% për federatën me 60% për ekipet, ku kanë qenë lojtarët më parë. Kjo është e paligjshme, pasi lojtari në momentin që është liruar nga kontrata është i lirë dhe nuk është pronë e ekipit paraardhës dhe as pronë e FSHB-së.
Pra, sipas jush, ky është një vendim që nuk i favorizon lojtarët vendorë?
Sigurisht, pasi është një vendim që bie ndesh me idenë e FSHB-së për të rritur pjesëmarrjen e lojtarëve shqiptarë në ekipe dhe kufizimin e lojtarëve të huaj, sepse në të njëjtën kohë rrit edhe shpenzimet për shoqatat që do të marrin më shumë lojtarë vendorë këtë sezon dhe kufizon lëvizjen e tyre nga një ekip në tjetrin. Pra, nuk e çliron, por e bllokon si proces. Ekipet që kanë ardhur nga kategoritë më poshtë dhe që kanë pasur lojtarë të huaj vjet, kufizohen shumë në marrjen e basketbollistëve shqiptarë nga ekipet e tjera.
Si e shihni vendimin për kufizimin e lojtarëve të huaj?
Nuk jemi dakord me këtë vendim, pasi në diskutimet që u bënë në Asamblenë e Përgjithshme në dhjetor, kishte mendime të ndryshme, por nuk u votua dhe as nuk u vendos gjë. Gjithçka u la për t’u diskutuar përsëri, prandaj vendimi i KD-së dhe FSHB-së është vendim i pabazuar në mendimet dhe diskutimet e shoqatave pjesëmarrëse. Ky vendim është në kontradiktë të plotë me realitetin në Shqipëri. OK, ne jemi dakord me idenë e përfshirjes të sa më shumë lojtarëve shqiptarë në ekipet tona, por pyetja është: “A kemi ne potencial dhe nivel profesionist lojtarësh shqiptarë që të konkurrojmë denjësisht në gara kombëtare dhe ndërkombëtare…? A kemi ne lojtarë shqiptarë profesionistë të dalin në stërvitje 2 herë në ditë…?”
D.m.th. për Besëlidhjen ky ishte një vendim i nxituar?
Për mendimin tonë edhe për 2-3 vite duhet të mos kishim kufizim, pasi lojtarët e huaj që vijnë ndikojnë pozitivisht në rritjen e nivelit të garave, por dhe vetë formimin profesionist të lojtarëve shqiptarë. Mund të bëhet me detyrim për shembull që në listën e lojtarëve të çdo ekipi të ketë 2-3 lojtarë të moshave 18-20 vjeç, kjo që t’u jepet mundësia këtyre lojtarëve të stërviten me lojtarë të huaj profesionistë, të mësojnë sa më shumë dhe të konkurrojnë fort për të zënë vendin në ekip të parë.
Një tjetër ndryshim është pjesëmarrja e detyrueshme në Ligën Unike. Si e gjykoni?
Nuk jemi dakord me pjesëmarrjen me detyrim në Ligën Unike, e cila është një ligë private dhe nuk është pjesë e aktiviteteve të FSHB-së. Pjesëmarrja me detyrim në Ligën Unike dhe heqja e -6 pikëve në kampionat për mospjesëmarrje, është në shkelje të statutit të FSHB-së si dhe në shkelje të të gjitha rregulloreve të FIBA-s. Për mendimin tonë duhet një takim mes palës organizatore të Ligës Unike dhe ekipeve që pretendojnë të marrin pjesë në këtë kompeticion, për të diskutuar për shpenzimet ekstra që na duhen ne si shoqata për të përballuar udhëtimet dhe akomodimet për të marrë pjesë në një aktivitet me ndeshje që zhvillohen në Shqipëri dhe Kosovë. Nëse një shoqatë nuk ka buxhetin e mjaftueshëm për të përballuar pjesëmarrje edhe kampionatin e Superligës edhe në Ligën Unike, t’i hapë krah një ekipi tjetër, duke pasur parasysh që janë 12 ekipe, të cilat mund marrin pjesë. Ne si shoqatë gjithashtu kemi kërkuar të sqarohemi për shumë pika për Ligën Unike, si për shembull:
Kur do të fillojë dhe kur do të mbarojë Liga Unike? Kush i merr përsipër këto shpenzime ekstra? Çfarë përfitimesh kemi ne si ekipe pjesëmarrëse? Pse nuk ndahet një buxhet për të gjitha ekipet pjesëmarrëse për të drejtat televizive dhe sponsorizimet e ndryshme që janë partnere të Ligës Unike, etj…? Gjithashtu duke parë dhe disnivelin mes ekipeve kosovare dhe shqiptare, kjo nuk ndihmon garën në kushte të barabarta, pasi në Kosovë ekipet kanë më shumë buxhet bazuar në ligjin e sponsorizimeve si dhe kanë njësuar rezultatet e ndeshjeve mes tyre në Ligë Unike me kampionatin. Ne në Shqipëri në mungesë të Ligjit të Sponsorizimeve, si në Kosovë dhe kudo në Europë, nuk mund të shtojmë me një vendim KD-je shpenzime ekstra për ekipet, thjesht për të plotësuar dëshirat e disa drejtuesve që mendojnë se i kanë FSHB-në dhe shoqatat anëtare pronë private.