Mohamed Salah ishte në prag të largimit nga Liverpuli, por gjithçka ndryshoi pasi u njoftua se Jyrgen Klop do të largohej nga klubi. Një pohim të tillë e ka bërë ish-trajneri i Uest Hemit, Slaven Biliç. Sulmuesi egjiptian u përfol për një transferim në Lindjen e Mesme, atje ku klubet e Arabisë SAudite ishin të interesuara për ta kthyer yllin e Liverpulin në djalin poster të tyre.

Por ai qëndroi deri në vitin e fundit të kontratës së tij në “Anfield Road” dhe po bën një sezon përrallor me Arne Slotin. Biliç, i cili drejtonte në Arabinë Saudite në atë kohë, pretendon se Salah ishte i palumtur me Klopin, por vendimi shokues i gjermanit për t’u larguar, ndryshoi edhe planet e tij.

Duke folur për “talkSPORT”, Biliç tha: “E gjithë Arabia Saudite ishte gati për të dhe ai do të kishte qenë ylli i kampionatit. Sa ne ishim në dijeni, ishte një çështje e mbyllur dhe Mo Salah do t’i bashkohej Al-Itihadit. Megjithatë, unë nuk u surprizova që ai nuk lëvizi. Ai e di që mund të shkojë atje kur ai të dojë që të largohet nga Liverpuli. Nuk bëhet fjalë për një projekt 1- vjeçar merre ose lërë në Arabinë Saudite”.

Trajneri kroat drejtonte klubin e Al Fateh në Arabinë Saudite derisa u largua në gusht. 32-vjeçari shënoi 25 gola dhe dha 14 asiste në 44 ndeshje në të gjitha kompeticionet sezonin e kaluar. Por ai ka arritur lartësi të reja këtë sezon, duke shënuar 30 gola dhe regjistruar 22 asiste në 39 ndeshje në të gjitha kompeticionet. Salah ka thënë se është viti i tij i fundit me klubin, megjithëse nuk përjashtohet ende që ai të mund të nënshkruajë një kontratë të re në “Anfield”.

Trajneri i tij i vjetër i U-20 të Egjiptit, Dia El-Sajed, tha për “SunSport” pak ditë më parë, se ai do t’i këshillonte Salahut që të qëndronte në “Anfield” dhe firmoste një kontratë të re: “E kam njohur Salah që kur ishte fëmijë dhe e di sa i ndershëm është si qenie njerëzore. Ai ka pasur tetë vite të mrekullueshme në Liverpul dhe shifrat e tij janë thjesht të pabesueshme. Unë e di sesa ai e do klubin dhe qytetin dhe dua që ai të qëndrojë në Liverpul”.