Bekim Balaj po bëhet gati të tërhiqet nga futbolli i luajtur. Ky nuk është një thashethem, por ajo që pretendon ish-trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç. Në një intervistë të dhënë para finales së kampionatit ndaj Egnatias, gjermani i ka hapur rrugë kësaj hipoteze për sulmuesin i cili ka fituar për dy edicione radhazi “Këpucën e Artë” në Superiore.

Në ditën e finales, Brdariç lëshoi një intervistë për prestigjiozen gjermane “Kicker”, ku foli për sfidën që e priste ndaj Egnatias, teksa u ndal edhe te protagonistët e këtij sezoni për Vllazninë, ku kishte një miks mes emrave të rinj dhe të vjetërve.

Ai e nisi me portierin Aron Jukaj, duke lavdëruar djaloshin e jo vetëm atë. “Ai së shpejti mbush 20 vjeç dhe ka bërë së fundmi edhe paraqitjen e tij të parë me kombëtaren U21. Kevin Dodaj, 19, ka fituar duke luajtur vendin e tij në sulmin e Kombëtares U21”, tha gjermani i cili më pas lëshoi “bombën” teksa foli për veteranët, me në qendër kapitenin Balaj.

“Tani ai po bëhet gati të tërhiqet. Si një ish-lojtar i Kombëtares, ai është dhe mbetet një incentiv i jashtëzakonshëm për lojtarët tanë të rinj”, ishin fjalët e Brdariç, duke i paraprirë kështu një largimi të mundshëm të qendërsulmuesit shkodran.

Tani, mbetet të shihet nëse ky “parashikim” i Brdariç do të bëhet së shpejti realitet, apo është thjesht një frazë e thënë rastësisht nga trajneri gjerman i larguar nga Vllaznia vetëm dy ditë pas kësaj interviste.