Nga Endri ÇINARI


Daugavpils, kundërshtari i Vllaznisë në Conference League vijon me aktivitetin e plotë dhe të zakonshëm në kampionatin letonez të futbollit. Ditën e enjte, skuadra e drejtuar nga trajneri Kurbatov arriti të kthehej tek fitorja në elitën e futbollit letonez. Në kuadër të javës së 20-të të kampionatit në Letoni, Daugavpils arriti të triumfonte me përmbysje kundër Grobina, duke marrë kështu 3 pikë të rëndësishme.

Pjesa e parë e takimit do mbyllej me rezultatin 1-2 në favor të miqve. Por, në fraksionin e dytë të lojës, reagimi i Daugavpils do ishte i fuqishëm. Të cilët do arrinin të kthenin shifrat në favorin e tyre, për rezultatin përfundimtar 3-2. Me këto 3 pikë, Daugavpils u ngjit në kuotën e 26 të tillave. Duke qenë 6 pikë larg vendit të 3-të që mbahet nga Liepaja dhe që sezonin tjetër siguron kupat e Europës.

Pas 20 javësh në kampionat, Daugvpils ka grumbulluar 26 pikë, duke shënuar 29 gola e duke pësuar 33 të tillë. Një formë kjo plot oshilacione këtë sezon për kundërshtarin e Vllaznisë.
Që në duelet europiane ka vetëm një “avantazh” ndoshta ndaj kuqebluve dhe ai është ritmi i ndeshjeve zyrtare, duke qenë se kampionati në Letoni është në gjysmën e tij tashmë.