Nga Endri ÇINARI
Jo vetëm afrimet në merkato, por edhe largimet nga Vllaznia kanë qenë një temë e rëndësishme në këto ditë verore. Nga shkodranët janë larguar deri më tani 8 futbollistë, boshllëku i të cilëve duhet plotësuar, pasi të afruarit deri në këto momente janë vetëm 4. Me kuqeblutë që patjetër duan ta përforcojnë skuadrën sa më shpejt të jetë e mundur dhe ta plotësojnë për sezonin 2025-26.
I fundit i larguar ishte Serjan Repaj, me mbrojtësin që shijoi vetëm për 6 muaj aventurën e tij të rikthimit në Shkodër. Ku tashmë 24-vjeçari do jetë pjesë e skuadrës së Vorës në Superiore. Para tij ishin zyrtarizuar të larguar emra si: Deliu, i cili tashmë do jetë pjesë e futbollit në Kosovë me skuadrën e Ballkanit. E po ashtu Çoba, me sulmuesin që me shumë mundësi do luajë me Gjilanin në edicionin 2025-26, ku momentalisht mungon vetëm zyrtarizimi.
I zyrtarizuar si i larguar nga Vllaznia është edhe Milos Stojanoviç, me mbrojtësin që pritet me shumë mundësi të aktivizohet në një prej kampionateve të rajonit. Por tek shkodranët kanë “harruar” të zyrtarizojnë largimet e emrave si Kahrimanoviç, Juriç, Spahija apo edhe Zaganjori. Me të katër futbollistët e lart përmendur që nuk do jenë pjesë e skuadrës së Martinit në edicionin 2025-26.
Momentalisht duket se tek kuqeblutë e kanë mbyllur me largimet. Duke përjashtuar ndonjë shitje të mundshme të ndonjë elementi premtues të së ardhmes. Teksa përqendrimi është vetëm të afrimi i futbollistëve para debutimit të skuadrës në Conference League.(www.shkodrasport.com)