Vllaznia ka dalë 9 herë kampion i Shqipërisë dhe titulli i fundit është arritur në sezonin 2000-2001. Në atë edicion kampionati elitar i futbollit në Shqipëri zhvillohej me pjesëmarrjen e 14 skuadrave dhe me dy faza.

Pas 26 ndeshjesh shkodranët e mbyllën të parët kampionatin me 56 pikë, dy më shumë se Tirana e vendit të dytë dhe katër më shumë se Dinamo që e mbylli sezonin e treta. 17 fitore, 5 barazime, 4 humbje dhe me golavarazh 51-22 ishte bilanci i kampionëve shkodranë para dy dekadash.

Përveç yjeve të futbollit shkodran, si Sinani, Martini, Beqiri, Teli, Kotri e të tjerë, presidenti Myftar Çela kishte afruar edhe disa lojtarë të tjerë cilësor vendës, si Klodian Duro, Dorian Bylykbashi, Saimir Patushi. Trajner i ekipit ishte malazezi Dervish Haxhiosmanoviç. Zv.trajner ishte Esat Rrakiqi, trajner portierësh Avenir Dani.

Mjek i skuadrës Zyhdi Çoba dhe masazhator Ruzhdi Mesi. Pjesë e stafit drejtues të skuadrës ishin edhe Artan Bushati, Ismet Hoxha dhe Ferid Borshi. Nga pjesa e stafeve të Vllaznisë së fundit kampionëve, aktualisht vijon vetëm mjeku veteran, Zyhdi Çoba. Por në staf teknik tani bëjnë pjesë disa ish-lojtarë kampion.