Shkruar nga Gjergj KOLA
Për njërin prej figurave kryesore të sportit të peshëngritjes në Shkodër, por edhe në Shqipëri, Petrit Hoxhën, dita e sotme është e veçantë. Ai feston 68-vjetorin e lindjes dhe, me këtë rast, gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Petrit Hoxha ka lindur në Shkodër më 21 gusht 1958 dhe rininë e tij, përveç studimeve, do t’ia kushtonte sportit dhe konkretisht peshëngritjes, me të cilën do të lidhej ngushtë gjatë gjithë jetës së tij.
Si sportist është përpjekur të lërë gjurmë, por sukseset më të mëdha do t’i arrinte si trajner. Në fundin e viteve ’80 dhe fillimin e viteve ’90, Petriti do të drejtonte ekipin e Vllaznisë drejt sukseseve të mëdha, duke e shpallur disa herë kampion dhe fitues të Kupës së Republikës.
Si rrjedhojë e kësaj pune, ai do të zgjidhej edhe trajner i ekipit tonë kombëtar dhe do ta drejtonte atë në Lojërat Olimpike të vitit 1992 në Barcelonë. Nga katër peshëngritësit shqiptarë pjesëmarrës në këtë olimpiadë, tre ishin shkodranë: Genc Barkiçi, Sokol Bishanaku dhe Dedë Dekaj.
Ky i fundit do të arrinte një rezultat fantastik, i cili edhe pas 28 vitesh vazhdonte të mbetej i paarritur. Një sukses që erdhi falë talentit të Dedë Dekajt, por edhe punës së madhe të bërë me të nga trajneri Petrit Hoxha.
Me kalimin e viteve, Hoxha emigroi drejt Gjermanisë, vend ku jeton edhe sot e kësaj dite. Megjithatë, disa vite më parë u rikthye në Shqipëri, ku iu besua sërish drejtimi i ekipit kombëtar. Edhe në këtë periudhë rezultatet nuk munguan, por projekti nuk zgjati shumë dhe ai u largua përsëri.
Petrit Hoxha ka mbetur gjithmonë pranë sportit të peshëngritjes, edhe sot e kësaj dite, me mendimet, idetë dhe përvojën e tij të vyer.
Viti i kaluar do të mbetet gjatë në kujtesën e tij, pasi, me rastin e festimeve të 100-vjetorit të SK Vllaznia, Bashkia Shkodër e vlerësoi me titullin “Trajneri i Shekullit”.
Një vlerësim i merituar për një trajner që i ka kushtuar një pjesë të rëndësishme të jetës peshëngritjes shkodrane dhe shqiptare dhe që ka lënë gjurmë të forta në historinë e këtij sporti.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


