Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia do zbresë sot në fushë për ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Skënderbeut, takim që do të shënojë debutimin e kuqebluve në edicionin 2026-27. Në prag të kësaj sfide, Edi Martini duket se ka krijuar në pjesën më të madhe idenë e formacionit që do të hedhë në fushë, megjithatë nuk mungojnë ende disa dilema, sidomos për sa i përket repartit të mbrojtjes dhe krahut të majtë.
Në portë, Aron Jukaj duket se është zgjedhja e parë dhe pritet të marrë sërish besimin e stafit teknik. Përpara tij janë provuar disa alternativa gjatë ditëve të fundit, me Çelikoviç, Dumfur dhe Musten që mund të formojnë një pjesë të prapavijës. Pikërisht në këtë repart Martini duket se ka ende disa pikëpyetje, pasi në rast se Musta nuk do të aktivizohet në pozicionin ku është provuar, atëherë vendin e tij pritet ta marrë Pusi.
Në krahun e djathtë, ndërkohë, Sokol Uldedaj duket se është zgjedhja më e mundshme. Në anën tjetër, në të majtë, avantazhuar për një vend titullari është Avduli, megjithëse edhe ky pozicion mbetet një nga dilemat që Martini do të zgjidhë deri në momentet e fundit. Nëse Avduli nuk do të aktivizohet në atë rol, alternativa kryesore pritet të jetë eksperienca e Emiljano Mustës.
Mesfusha duket më e qartë në idetë e trajnerit shkodran. Treshja Qato, Kobiljari dhe Dros pritet të ketë një rol të rëndësishëm në ekuilibrat e skuadrës, duke u ngarkuar jo vetëm me ndërtimin e lojës, por edhe me mbështetjen e fazës sulmuese.
Në repartin ofensiv, përgjegjësia kryesore pritet të bjerë mbi Bekim Balajn dhe Edon Muratajn, dy lojtarë që do të synojnë të udhëheqin sulmin kuqeblu. Balaj, me eksperiencën dhe instinktin e tij para portës, mbetet pika kryesore e referimit, ndërsa Murataj pritet të ketë një rol të rëndësishëm në mbështetjen dhe krijimin e rrezikshmërisë në zonën kundërshtare.
Kështu, edhe pse ka ende disa dilema për t’u zgjidhur, Martini po shkon drejt përcaktimit të formacionit përfundimtar. Objektivi i Vllaznisë është i qartë: nisja e sezonit 2026-27 me fitore në shtëpi, përballë Skënderbeut. Një sukses në takimin debutues do t’u jepte shkodranëve jo vetëm tre pikët e para, por edhe qetësinë dhe moralin e duhur për të nisur me këmbën e mbarë një sezon ku pritshmëritë mbeten të larta.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


