Sulmuesi Sabah Kerjota, ishte një nga risitë në listën e trajnerit Rolando Maran, në Ligën e Kombeve. Anësori i djathtë ishte i grumbulluar me Kombëtaren, por pa arritur të bëjë dot debutimin. Kerjota foli në Klan News, për emocionet e grumbullimit.
Ai theksoi se ishte i lumtur dhe e kishte ëndërr të ishte pjesë e Kombëtares, ndërsa theksoi se shpreson që ftesa të mos ketë qenë e fundit.Kerjota u shpreh se zgjedhjet e bën trajneri, duke shtuar se atmosfera në kampin kuqezi është tepër pozitive.
“Çdo lojtar që luan futboll, ëndërron Kombëtaren. Kur më ftuan isha shumë i lumtur. Ishte një emocion i rrallë. Nuk e përshkruaj dot. Nuk ndodh gjithmonë dhe me shumë futbollistë. Shpresoj që mos ketë qenë e fundit.
Mosaktivizimi? Nuk besoj se është pozicioni. Unë jam i lumtur që isha në grumbullim dhe pastaj zgjedhjet janë të trajnerit. Do bëj gjithçka për të debutuar një ditë me Kombëtaren.
Atmosfera në Kombëtare është shumë e mirë, këtë e konfirmojnë edhe rezultatet. Kemi lojtarë shumë të mirë edhe në rolin ku jam unë. Muçi po bën mirë në Turqi dhe e kërkojnë shumë klube. Besoj se një ditë do të vijë dhe debutimi në Kombëtare.
Atmosfera në Kombëtare është shumë e mirë. Ti i sheh lojtarët që i ke parë gjithmonë në TV. Shumica e tyre kanë luajtur në Serie A. Unë jam rritur në Itali. Të luaja me ata ishte një ëndërr. Ambienti është shumë i mirë.
Kemi një Kombëtare shumë të mirë. Synimi ishte vendi i parë dhe e arritëm. Kombëtarja duhet të vazhdojë kështu, të fitojë çdo ndeshje”, deklaroi Kerjota.


