Shkruar nga Endri ÇINARI
Në prag të nisjes së edicionit 2026-27, Vllaznia dhe Skënderbeu do të përballen sërish mes tyre në një duel që ka prodhuar gjithmonë rivalitet dhe emocione. Kuqeblutë e nisin kampionatin përballë korçarëve, ndërsa statistikat e përballjeve të fundit tregojnë se ky takim pritet të jetë tepër i ekuilibruar. Madje, në pesë duelet e fundit direkte, bilanci flet lehtësisht në favor të Skënderbeut.
Gjatë sezonit 2024-25, dy skuadrat u përballën katër herë. Takimin e parë e fitoi Skënderbeu me rezultatin 1-0, ndërsa më pas Vllaznia reagoi duke triumfuar 2-0 dhe duke regjistruar një fitore të thellë 0-4 në dy përballjet pasardhëse. Megjithatë, në duelin e fundit të atij sezoni ishin sërish korçarët që dolën me tre pikë, duke fituar 1-2 në transfertë. Nëse këtyre katër ndeshjeve u shtohet edhe përballja e fundit e sezonit 2023-24, e fituar nga Skënderbeu me rezultatin 3-2, atëherë në pesë sfidat e fundit korçarët numërojnë tre fitore, kundrejt dy sukseseve të shkodranëve.
Por nëse bilanci i viteve të fundit anon disi nga Skënderbeu, historia e përgjithshme e përballjeve direkte flet minimalisht në favor të Vllaznisë. Dy skuadrat janë përballur plot 72 herë, në një nga rivalitetet më interesante të futbollit shqiptar. Shifrat janë jashtëzakonisht të ekuilibruara, me 32 fitore të Vllaznisë, 31 të Skënderbeut dhe vetëm 9 barazime.
Edhe golavarazhi është në favor të kuqebluve, të cilët në këto 72 përballje kanë shënuar 100 gola, kundrejt 89 të korçarëve. Një diferencë prej vetëm një fitoreje dhe 11 golash tregon më së miri sesa i balancuar ka qenë ky duel përgjatë historisë, pavarësisht periudhave të ndryshme që kanë kaluar dy skuadrat.
Sa u përket fitoreve më të thella, Vllaznia ka regjistruar një triumf 5-0, ndërsa Skënderbeu ka arritur një sukses edhe më të thellë, 5-1. Megjithatë, diferencat historike mbeten minimale dhe çdo përballje e re mes tyre sjell një kapitull tjetër në këtë rivalitet. Tashmë, në prag të javës së parë të sezonit 2026-27, Vllaznia do të synojë jo vetëm një nisje pozitive të kampionatit, por edhe të përmirësojë bilancin e ndeshjeve të fundit ndaj një kundërshtari që historikisht ka qenë gjithmonë një rival i vështirë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


