Shkruar nga Gjergj KOLA
Sulmuesi shkodran Gabril Kulla vazhdon të shkëlqejë në Itali. Ditën e sotme ai ka shënuar edhe dy gola të tjerë për Sassuolo U20 dhe ka kontribuar në fitoren e saj 3-0 në transfertë ndaj Como. Me këto dy gola, 18 vjeçari i lindur në Shkodër është ngjitur në kuotën e 8 golave dhe kryeson renditjen e golashënuesve më të mirë të këtij kampionati.
Kulla u shfaq edhe sot si protagonist. Pas disa rasteve të krijuara, do të vinte minuta e 71-të kur ai pengohet në zonë në mënyrë të parregullt dhe arbitri tregoi pikën e bardhë të 11-metërshit. Do ta merrtee vetë përsipër duke e çuar topin në trekëndëshin e djathtë të portës kundërshtare, aty ku portieri kundërshtar nuk do të mund të bënte asgjë për ta ndalur atë top.
Por mrekullia do të ndodhte në minutën e 86-të. Sassuolo thyen një aksion dhe topi shkon tek Kulla që nga një distancë rreth 55 metra duke parë edhe daljen e portierit, do të gjuante menjëherë dhe topi do të përfundonte në rrjetë. Një klas i lartë i tij.
Tashmë Gabriel Kulla ka shkuar në kuotën e 8 golave duke ndarë kreun e renditjes së golashënuesve më të mirë të kampionatit bashkë me Cristian Carrara të Interit dhe Filippo Conzato të Torinos në të njëjtën kuotë golash.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


