Vllaznia mori një fitore shumë të rëndësishme në kampionat, atë ndaj Partizanit me shifrat 1-0. Goli i Bekim Balajt nga pika e bardhë i mjaftoi kuqebluve për të marrë një trepikësh me vlerë.
Risia e formacionit të kuqebluve në këtë ndeshje ishte numri 66- Uldedaj. Në fakt nuk ishte Sokoli, të cilin jemi mësuar ta shohim në fushë në shumë prej ndeshjeve të këtij sezoni. Ishte vëllai i tij binjak- Simoni, 17 vjeçari tjetër i Vllaznisë.
Ai luajti në 45 minutat e para të ndeshjes në rolin e mesfushorit të krahut të djathtë dhe përgjithësisht bëri mirë. Kjo ndeshje shënoi debutimin e tij në kampionat me Vllazninë, por duhet thënë se ndeshjen e tij të parë e pat pasur në Kupat e Europës në sfidën ndaj Malishevës.
Në këtë mënyrë, tashmë kompletohet “binomi” i binjakëve Sokol dhe Simon Uldedaj dhe me siguri që në ndeshjet e ardhshme do të kemi një alternim të këtyre dy lojtarëve sepse te Vllaznia i konsiderojnë lojtarë me të ardhme dhe jo më kot klubi ka firmosur kontrata profesioniste me të dy këta 17 vjeçarë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


